Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 15:43

PLOTËSUAR (12 Shkurt 2012, 20:00) – Vendin e goditur nga orteku e vizitoi sot kryeministri Hashim Thaçi, i cili shprehu ngushëllimet për jetët e humbura dhe siguroi banorët e Restelicës se i gjithë shteti është me ta. Për shkak të kësaj ngjarjeje tragjike, e hëna në Kosovë është shpallur ditë zie.

Kosova është prekur prej ditësh nga moti i keq me reshje të dendura dëbore që kanë krijuar vështirësi të shumta sidomos në komunat perëndimore të Deçanit dhe të Pejës, duke lënë edhe mjaft fshatra të izoluar.

*************

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto i shprehu ngushëllime ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, për fatkeqësinë natyrore të shkaktuar nga një ortek dëbore, që u mori jetën nëntë anëtarëve të familjes Reka në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Haxhinasto i telefonoi të dielën homologut të tij kosovar për t’i shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe ndjenjat e solidaritetit për humbjet e jetëve njerëzore nga orteku. Ai shprehu bindjen se në këto në këto çaste hidhërimi të thellë e vështirësish të mëdha, me të cilat po përballen familjet e të ndjerëve, Qeveria dhe i tërë populli i Kosovës po demonstrojnë një ndjenjë të lartë solidariteti, duke bërë maksimumin për t’u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave, si dhe gjithë banorëve të prekur nga ky mot i acartë.

Haxhinasto njëkohësisht shprehu gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për të dhënë ndihmën dhe asistencën e nevojshme në zonat më të prekura nga ky dimër i jashtëzakonshëm.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin  e fatkeqësisë  tragjike, që ndodhi në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit, ku humbën jetën nga orteku i borës 9 anëtarë të familjes Reka, në një deklaratë pak më para shprehu ngushëllimet më të sinqerta.

“Me shqetësim dhe dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen tragjike të 9 qytetarëve, shkaktuar nga orteku i borës. Kjo tragjedi  ka prekur thellë, jo vetëm familjarët e të afërmit, por edhe tërë qytetarët e Kosovës. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal,  ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmeve të familjes Reka”, tha ai.

***************************

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga vizitoi të dielën në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka.

Gjatë vizitës, presidentja, e shoqëruar nga kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora ditëve të fundit në mbarë Kosovën, thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Presidentja e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë.

Jahjaga posaçërisht veçoi punën e palodhshme të FSK-së, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’iu ardhur në ndihmë të ngujuarve në Restelicë.

Me këtë rast, presidentja e vendit ndau 10 000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.

***************************

“Në këto momente shumë të dhembshme, vlerësoj lart angazhimin e jashtëzakonshëm që bënë dhe po bëjnë pjesëtarët e  Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës,  të trupave të KFOR-it, si dhe qytetarët, që në këto kushte tejet të vështira atmosferike po bëjnë gjithçka që është e mundur për të nxjerrë dhe shpëtuar të goditurit nga orteku i borës”, theksohet në deklaratën  e kryekuvendarit Krasniqi.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e hënë, 13 shkurtin 2012, ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Sipas vendimit të Presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të vendit  flamuri i Kosovës do të ulet në gjysmë shtize.

Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme.

Sipas një komunikate, edhe Qeveria e Kosovës thuhet ta ketë shpallur ditën e hënë ditë zie në vend.

Qeveria edhe njëherë i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave, dhe rithekson gjithë përkushtimin dhe vendosmërinë institucionale për ndihmë dhe shpëtim të qytetarëve, të rrezikuar nga gjendja e rëndë klimatike, thuhet në këtë kumtesë të qeverisë. 

******************

PLOTËSUAR (12 Shkurt 2012, 12:30) – Një vajzë rreth 7-vjeçare e nxjerrë mbrëmë e gjallë e 7 të vekur raportohet se janë nxjerrë nga dëbora e rrënojat e shtëpive rreth 24 orë nga rënia e një orteku të madh dëbore në fshatin Restelicë, në rajonin e Gorës të komunës së Dragashit, në jug të Kosovës. 
Dyshohet  edhe për  për tre të zhdukur, dhe në kushte shumë të  vështira  vazhdojnë  operacionet e kërkimit nga ekipet e FSK-së, KFOR-it, Policisë,  zjarrfikësve dhe vetë banorët.
 Orteku i lartë 10 metra dhe e i gjatë 500 metra, ka mbuluar dje në mëngjes afro 15 shtëpi të një lagjeje në fshatin Restelicë, dy prej tyre të banuara nga 11 anëtarë të familjes Reka, të tjerat ta pabanuara meqë njerëzit ndodheshin jashtë vendit. Policia e Kosovës  ka njoftuar se dje rreth orës 09:25 ka pranuar një informacion për rënien ortekut që shkaktoi tragjedinë.
Sapo njoftohet se kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të vizitojë sot fshatin Restelicë të komunës Dragashit, ku dje gjatë gjithë ditës e natës kanë qëndruar përfaqësues të lartë të qeverisë e institucioneve tjera të Kosovës.

**************

Prishtinë-Një ortek ka rënë mbi dy shtëpi në Restelicë të Dragashit, dhe dyshohet të ketë viktima. Orteku i borës, me gjatësi 500 metra dhe me gjerësi disa metra ka ngujuar 11 persona në dy shtëpi me mbiemrin Reka.

Druhet se nga orteku ka humbur jetën një grua ndërsa në rrezik për jetën janë edhe të tjerë që  u ngujuan nga orteku  nga ky ortke.

Ekipet shpëtimtare të komunës janë nisur për në vendin e ngjarjes për të ofruar ndihmë, por bora dhe mjegulla e madhe kanë bërë të pamundur afrimin tek orteku që supozohet të jetë burim i tragjedisë, njofton KTV.

Me të ngujuarit janë humbur kontaktet. Në fshatra të komunën së Dragashit lartësia e borës ka arritur 2.5 metra. Edhe në vise të tjera të Kosovës mbrëmë dhe sot ka rënë shumë borë.

Reshjet më të dendura kanë qenë në Dukagjin: Pejë,  Gjakovë e Klinë. Si pasojë e nise së borës shumë zona e fshatra të vendit kanë mbetur të izoluara. Meteorologët parashikojnë që mot i ngjashëm me të reshura bore reshura të mbretërojë deri të hënën.

http://www.youtube.com/watch?v=-kBvc2melW8&