Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 11:25

Tiranë – Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës ka hyrë sot në ditën e 15-të të saj, gjë që ka sjellë dhe përkeqësimin e mëtejmë të gjendjes së tyre shëndetësore.

Sipas mjekëve, gjatë ditës së djeshme “tre prej miniatorëve u janë vendosur serume brenda galerisë, pasi ata refuzuan të lënë grevën e urisë pas përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore”.

Ndërkohë, minatorët e Bulqizës së bashku me Taf Kolecin, kreun e Sindikatave, bëjnë të ditur për mediat, se po përgatitet një tjetër padi civile kundrejt administratorit të “ACR” Giga Bedineishvilli, si dhe konfirmuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), në një njoftim për shtyp dy ditë më parë u bëri thirrje negociatorëve, drejtuesve, minatorëve si dhe  palëve që akuzojnë njëra- tjetrën, të ndalojnë menjëherë lumin e akuzave të ndërsjellta, që po përpiqen ta çojnë në rrugë pa krye këtë situatë.

Sipas METE-s, “miniera e Bulqizës është pasuri kombëtare dhe asnjë palë apo individ nuk duhet të luajë për interesa personale me këtë pasuri, ndaj dhe inkurajojmë çdo sinjal pozitiv për nisjen e dialogut dhe zgjidhjen e ngërçit të krijuar”, thuhet në njoftimin e dy ditëve më parë të METE-s.

13 minatorët e Bulqizës të “ngujuar” prej 15 ditësh në 1400 metra nën tokë, kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësimin e kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.