Lajme Shqip Tuesday, 16 October 2012 13:16

TIRANE -Shkon drejt përfundimit gjyqi ndaj tre ish-SHIK-ve që vijon prej pesë vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda për çështjen e Remzi Hoxhes. Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli sot konkluzionet për çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjen e bisnesmenit Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë.

Në seancën e zhvilluar të martën në Gjykatën e Krimeve të Rënda, perfaqësuesja e prokurorisë, Elisabeta Imeraj, kërkoi shpalljen fajtor për çështjen dhe dënimin me 13 vjet burg për ish -punonjësin e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), Ilir Kumbaro, që aktualisht është në kërkim. Ndërkohë, prokuroria është tërhequr nga akuzat e ngritura kundër dy ish -punonjësve të tjerë të SHIK-ut, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. 
 
Pretenca u lexua nga prokurorja Elisabeta Imeraj, e cila ka punuar gjatë kësaj kohe me dosjen e shumëpërfolur pas vdekjes së prokurorit Xhevat Hana, që i nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë. Prokurori i ndjerë Xhevat Hana solli në sallën e gjyqit dhjetëra dëshmitarë, si dhe prova të tjera për të provuar fajësinë e tre të pandehurve.

Më 21 tetor bëhen 17 vite nga zhdukja e biznesmenti shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha. Të tre ish-drejtuesit të SHIK-ut, Avni Koldashi, Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro janë akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e Hoxhës.

Ish-shefit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro nuk i dihet vendndodhja, pasi ai iu arratis drejtësisë britanike në dhjetor 2011 dhe aktualisht është i shpallur në kërkim. Kumbaro u arratis në një kohë që në Shqipëri, Gjykata e Lartë kishte dhënë një vendim unifikues, që i hapte dritën jeshile ekstradimit të Kumbaros në Shqipëri.

Shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurve, u mbyll në shtator të këtij viti, menjëherë pasi Gjykata e Lartë mori përgjigje nga SHISH, se në arkiv s’ka dosje gjurmimi për Remzi Hoxhën. Nga kërkimi rezultoi se emri i Remzi Hoxhës, i Ziso Kristopulit dhe i Avdyl Loshajt nuk ekzistonte në asnjë dokument të arkivit së Shërbimit Informativ Shtetëror.

Djetë ditë më parë kishte dështuar dhënia e pretencës për shkak të mungesës e prokurores së çështjes. Djali i biznesmenit shqiptari maqedonas, i zhdukur në vitin 1995 në Tiranë, Ardian Hoxha, “kërcënoi” me Kanun para Gjykatës për Krimet e Rënda pasi mësoi dështimin e seancës. (LajmeShqip.com)