Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 14:47

Prishtinë – Prokuroria Publike Komunale e ka caktuar si prioritet rastin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova.

Ajo tashmë ka nisur procesin e hetimeve rreth dyshimeve për blerjen e çmimit në Amerikë, i fituar në muajin maj nga UP-ja. Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Haki Gecaj, ka thënë se procesi është në fazën e mbledhjes së informatave të para që lidhen me këtë rast.

Hetimet nuk do të bëhen vetëm për dyshimet rreth keqpërdorimeve për rastin e fundit. Ato do të zgjerohen në një periudhë më të gjerë, duke përfshirë edhe paraardhësit e rektorit Rugova. Sipas Gecajt, çdo gjë që ka të bëjë me Rektoratin dhe dyshimet e ngritura nëpërmjet mediave do të hetohen nga prokuroria.

Ndërkohë, deklarimeve të disa prorektorëve se Këshilli drejtues i UP-së ka dalë jashtë kompetencave sa u përket vendimeve për financat u është përgjigjur anëtari i këtij këshilli, Milazim Krasniqi. Ai  i ka thënë KTV-së se vendimi është në përputhshmëri me statutin e UP-së dhe është brenda mandatit të tij. (LajmeShqip.com)