Lajme Shqip Friday, 27 September 2013 13:31

Në vazhdën e diskutimeve për ligjin e “statusit të nënpunësit civil”, zbulohet se mbi 60 për qind e stafit të presidencës, është larguar nga detyra.

Nuk bëhet fjalë vetëm për stafin politik, atë të këshilltarëve, që është në të drejtën e presidentit për ta zgjedhur. Bëhet fjalë për stafin e administratës, të cilët, në mënyrë permanente, president pas presidenti, kanë qenë të angazhuar në punët e presidencës së republikës.

Stafi politik i një presidenti është normale që duhet të largohet me largimin nga detyra të një presidenti. Dhe, për këshilltarët politikë të ish- presidentit Topi kështu ka ndodhur. Në administratën e presidentit Nishani mbeti vetëm Çlirim Çepani, i cili ishte edhe në stafin e Topit.

Ndërkohë, që ditën e parë që mori detyrën, presidenti Nishani shkarkoi gjithë këshilltarët e ish- presidentit Topi. Duhet theksuar se stafi i ri politik i Bujar Nishanit, është më i madh në numër sesa stafi i Topit, Moisiut, Meidanit etj.

Nga 47 punonjësit me statusin e nënpunësit civil, 25 prej tyre u shkarkuan, ose u detyruan të jepnin dorëheqjen. Duke mos përfshirë në listë shoferët ose sanitaret, nga 36 punonjës me statusin e nënpunësit civilë, u hoqën menjëherë ose më vonë nga Presidenca 23 prej tyre, ose 68-70 përqind e stafit civil.

Ata u zëvendësuan me persona pa status civil, pra jashtë rregullave të parashikuara nga Ligji për Nëpunësit Civil. Nga të hequrit 20% e tyre ishin aty në punë që nga koha e presidentit Meidani dhe Moisiu.