Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 10:27

Prishtinë – Katër ditë para përfundimit të regjistrimit në Kosovë, është rritur numri i serbëve në jug të Mitrovicës, të cilët po i përgjigjen këtij procesi. Ndërkohë, në komunën e sapoformuar të Graçanicës janë regjistruar më shumë se 7 mijë serbë.

Në ditët e para të regjistrimit numri i serbëve të Kosovës që ishin të gatshëm t’i bashkohen këtij procesi ka qenë i vogël.

Anketuesi, Goran Stojanoviq, nga Graçanica, thotë se në fillim kanë hasur në probleme të shumta, përfshirë edhe bojkotin dhe nuk janë pritur mirë nga banorët serbë. Mirëpo, sipas tij, me kalimin e kohës, bashkëpunimi ka qenë më i madh dhe është rritur numri i atyre që i janë përgjigjur procesit të regjistrimit.

“Në dy ditët e fundit ka filluar të rritet numri i atyre që marrin pjese në regjistrim. Arsyeja më e shpeshtë pse serbët nuk duan të marrin pjesë në regjistrim është qëndrimi i Serbisë, i cili tashmë është i njohur. Mirëpo, më shumë pjesëmarrje është shënuar te serbët të cilët punojnë në institicuone të Kosovës”, ka thënë Stojanoviq.

Edhe pse, sipas të dhënave të Komisionit për regjistrim, interesimi i serbëve, është duke u shtuar, ka edhe të atillë që vazhdojnë ta kundërshtojnë fuqishëm këtë proces.

Kryetari i Komunës Graçanicës, Bojan Stojanoviq thotë se serbët do t’i shkaktojnë vetes dëm të madh nëse e refuzojnë regjistrimin e popullsisë

Sipas tij, “duhet shfrytëzuar mundësinë që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e procesit që të regjistrohen, në mënyrë që t’i plotësojnë të drejtat e tyre edhe në mënyrë ligjore”.

Edhe në Entin e Statistikave në Prishtinë konfirmojnë se në vendet e banuara me serbë është rritur interesimi për t’iu përgjigjur procesit të regjistrimit të popullsisë.