Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 16:00

Tiranë – Rreth 1500 studentë të fakultetit të Mjekësisë janë regjistruar për t’u testuar në Provimin e Shtetit që do të kryhet për herë të parë në Shqipëri.

Sipas të dhënave, me përjashtim të studentëve që kanë studiuar veterinari, pothuajse çdo degë e këtij fakulteti përmes urdhrave profesionalë, ka dërguar listat e kandidatëve për Provimin e Shtetit.

Drejtori i Agjencisë së Provimit të Shtetit, Niko Terezi, tha se në procesin e regjistrimit rezulton mungesa e pjesëmarrjes së studentëve nga degë të tjera, siç janë ato inxhinierike.

Ministria e Arsimit, me qëllim që të inkurajojë 1500 kandidatët e parë për Provimin e Shtetit, ka publikuar përgjigjet alternative për 3 mijë pyetjet e shpallura prej disa ditësh në websitin e Agjencisë Kombëtare të Provimit të Shtetit.

Provimi i Shtetit do të zhvillohet në datën 15 janar. Sipas ligjit, studenti ka të drejtë të hyjë në provim deri në 5 herë.

Sipas vendimit të qeverisë, shuma që do të paguajë studenti për Provimin e Shtetit do të jetë 10 mijë lekë. Kjo tarifë do të paguhet për sa kohë studenti do të përsërisë provimin.

Çdo kandidat që do t’i nënshtrohet Provimit të Shtetit do të identifikohet përmes shenjave të gishtit dhe fotos së fytyrës. Provimet e Shtetit për 33 profesionet e përcaktuara, që do të zhvillohen në muajin nëntor, do të vlerësohen elektronikisht.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, provimet për profesionet e rregulluara do të monitorohen nga komisione të posaçme. Zhvillimi i këtij provimi ka rregulla të rrepta për të shmangur abuzimet për marrjen e lejes për ushtrimin e profesionit. Pritet që çdo profesion të ketë data të veçanta për zhvillimin e Provimit të Shtetit.