Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 21:02

Prishtinë – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së  Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka zhvilluar një takim të përbashkët me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës në të cilin është biseduar për përgatitjet e fillimit të regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë. Në takim ka marrë pjesë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar  dhe kryesuesi i Komisionit Qendror për Regjistrim, Rifat Blaku.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka njoftuar kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës për përgatitjet që Qeveria e Kosovës ka bërë për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë Komisionit Qendror për Regjistrim dhe Entit të Statistikave të Kosovës, si institucione qendrore që do të implementojnë këtë proces të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës. Regjistrimin e popullsisë, Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar si një nga aktivitetet më të rëndësishme të shoqërisë kosovare pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Roli i komunave në mbarëvajtjen e këtij procesi është shumë i madh. Grumbullimi dhe seleksionimi i të dhënave në terren do të kërkojnë mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve lokale në komunat e Kosovës, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ka kërkuar që kryetarët e komunave të ushtrojnë autoritetin e tyre për mbarëvajtjen e këtij procesi në terren.