Lajme Shqip Friday, 13 July 2012 13:02

Bruksel- Komisioneri Europian i Zgjerimit Stefan Fyle përshëndet marrëveshjen e arritur të mërkurën për Reformën Elektorale. Përmes një njoftimi nga zyra për shtyp e komisionerit Fyle bën të ditur se marrëveshja ndërpartiake për Kodin Elektoral në Komisionin Parlamentar për Reformën Elektorale është një zhvillim i mirëpritur.

”Qoftë mazhoranca dhe opozita duhen vlerësuar për këtë marrëveshje, ashtu si dhe puna e mirë teknike e përfunduar. Nëse Kodi Elektoral miratohet javën e ardhshme sic është planifikuar kjo do të përbënte një hap të rëndësishëm përpara për përfundimin e marrëveshjes politike të nëntorit.

Reforma elektorale nuk është vetëm një nga prioritetet kyce të opinionit të KE, por është edhe esenciale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 2013”-thuhet në këtë deklaratë.

“Mazhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të ndërtojnë mbi këtë zhvillim të mirë dhe të thellojnë më tej dialogun politik dhe bashkepunimin për të përfunduar punën e nisur në prioritetet e tjera kyçe të opinionit të Komisionit Europian dhe të arrijnë një masë të konsiderueshme rezultatesh brenda vjeshtës. Reformat ne sundimin e ligjit përbëjnë një faktor kyc për të ecur përpara në rrugën e integrimit në BE.

Në këtë kuadër votimi për heqjen e imuniteteve në përputhje me standartet europiane do të ishte një element i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Inkurajojmë të gjitha palët që të kontribuojnë për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim dhe të tregojnë një qëndrim konsotruktiv”-përfundon deklarata. (LajmeShqip.com)