Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 11:42

Tiranë (PLOTESUAR 23 prill, 16:00)– Ka qenë e pamundur arritja e një marrëveshje e 23 partive të vogla dhe PS e PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sistemi zgjedhor ka nevojë për ndryshime urgjente dhe për partitë e vogla në Shqipëri ky ndryshim duhet të nisë nga korrektimi kombëtar i këtij sistemi, i cili është një prej modeleve të sistemit spanjoll. Të mbledhura në një tryezë zyrtare, 23 partitë e vogla kanë bërë propozimet e tyre në prani të kreut të PS, Edi Rama dhe të përfaqësuesve ligjorë të Partisë demokratike, Ilir Rusmajli dhe Oerd Bylykbashi. Propozimi kryesor i artikuluar nga kreu i PDS, Paskal Milo është korrektimi kombëtar i sistemit zgjedhor.

DEBATE MES RAMES DHE BALLIT KOMBETAR
Kryesocialisti Rama ka deklaruar në fillim të fjalës së tij se partitë e vogla po kërkojnë mbështetjen e PS dhe PD duke nisur nga sharjet për to. “Është rast unikal në botë që kërkohet mbështetja e partive të mëdha me të shara. Këtu ka një kontradiksion. Por, kjo nuk ndryshon qëndrimin tonë në parim se sistemi aktual deri në momentin që flasim nuk ka asnjë arsye për të mos nënvizuar progress në reformën zgjedhore”, tha Rama.

Deklarata ka shkakuar reagimin e përfaqësuesve të Ballit Kombëtar, Roshi dhe Alimadhi.
Rama – Roshit: E the dhe vetë se edhe në burg të ka funksionuar ndaj mos ndërprit se po të ishe kaq i fortë ndërprisje Enver Hoxhën jo mua, sepse unë jam pjesë e një tjetër reforme. Në kohën e luftës kishit frikë nga gjermanët, po tani nga se keni frikë ?.
Roshi: Votat janë transparente por si ke marrë nëpërmjet ligjit. Këto na trego e jo përralla.
Milo: Ju lutem mos replikoni

Rama: Unë nuk ndërpreva njeri. Zakonisht ju hanit pula, lepuri ju ka mbetur në bark.
Roshi: Me këto pseudo batuta nuk funksionon
ALimadhi: Ju Rama keni nxjerrë njerëzit zvarrë në burgje. Ty nuk të shkon të shprehesh kështu, lëri pulat. Se ju keni ngrënë koka njerëzisht. Këtu e gjete tit ë flasësh për ballistët.
Rama: E kam pikë të dobit Ballit Kombëtar.
Alimadhi: Nëse e ke pse zgërdhihesh.
Rama – Milos: A mund t’i mbash në rresht ti këta? Se asaj pune s’keni çfarë t’I bëni.
Alimadhi: Mos u shpreh më kështu se është hera e dyte që merreni me pulat dhe ballistët. (SH.C)

************************

Tiranë – Partitë e vogla të spektrit të majtë dhe të djathtë organizojnë sot në mesditë në Hotel Sheraton një tryezë lidhur me ndryshimet e kodit zgjedhor.

Në tryezë, e inicuar nga Partia Demokracia Sociale dhe Partia Republikane, pritet të prezantohen propozime mbi ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor, të sugjeruara nga rreth 23 parti politike.

Në këtë takim, të organizuar nga partitë e vogla, janë ftuar dhe përfaqësues të dy partive të mëdha, PD dhe PS.

Tryeza thirret një javë para mbarimit të mandatit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. (LajmeShqip.com)