Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 13:59

Tiranë (PLOTËSUAR, 30 Nëntor, 15.00)- Kreu i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth e ka cilësuar fillim të mbarë takimin e parë të komisionit për reformën zgjedhore. Në një prononcim për mediat , ambasadori Wollfarth ka theksuar se shpreson se reforma zgjedhore të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm. Sipas tij, prezenca e OSBE/ODIHR-it e kanë pritur me padurim këtë ditë të konstituimit të komisionit të reformës, ndërsa shtoi se është mjaft e rëndësishme që punimet e komisionit nisën menjë

“Meqenëse zgjedhjet janë të lidhur direkt me demokracinë, ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Orientimet më të rëndësishme janë vendosur nga raportet e OSBE/ODIHR-it, shpresojmë që rezultatet e para të dalin në fillim të vitit të ardhshëm” ka theksuar Wollfarth.

Ndërkohë përfaqësuesi i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri pas përfundimit të mbledhjes së parë të këtij komisioni tha se nëse ka vullnet të mirë do të ketë edhe rezultate. “Diskutuam disa cështje administrative, por shumë shpejt duhet të nisim cështje konkrete. Ato janë problematikat që kanë të bëjmë me procesin zgjedhor. Sot u ngrit grupi i ekspertëve, të gjitha cështjet do diskutohen në ditët në vijim. Presim edhe propozimin e partive të vogla. Nëse ka vullnet të mirë gjërat do të kryhen”,- deklaroi përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, pas përfundimit të punës së komisionit për ditën e sotme. 

******************************

Tiranë-Është mbledhur sot për herë të parë, komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore që ka për detyrë hartimin e amendamenteve për kodin zgjedhor, në kuadër të rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR. Përpara fillimit të mbledhjes, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi u ka bërë apel përfaqësuesve të forcave politike që të kenë në themel të punës së tyre synimin për të realizuar në kohë këtë reformë dhe të mos udhëhiqen nga emocionet politike apo pozicionet partiake.

Ndërsa në nisje të takimit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se pret që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse. “Reforma zgjedhore duhet të plotësojë çdo boshllëk ndërsa duhen zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it”-tha Topalli. Sipas vendimit të parlamentit të datës 17 nëntor, komisioni, i cili do të ushtrojë veprimtarinë e tij për një afat tre mujor, përbëhet nga 10 anëtarë, përfaqësues të partive parlamentare, 5 nga maxhoranca (2 PD, 1 LSI, 1 PR dhe 1 PDIU), dhe 5 nga opozita: (PS 4 anëtarë, PBDNJ 1 anëtar). Gjatë punës së tij komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do të zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor. Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Ilir Rusmali i Partisë Demokratike dhe Damian Gjiknuri i Partisë Socialiste, ndërsa pranë tij do të ngrihet një grup ekspertësh teknikë. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk gjejnë  konsensus, do të kërkohet ekspertiza e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. (LajmeShqip.com)