Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 15:14

 

Tiranë – LSI ripërsëriti sot thirrjen drejtuar opozitës shqiptare që të bashkëpunojë për reformën zgjedhore.

Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama e cilësoi të domosdoshme dhe të rëndësishme përfshirjen e të gjithë aktorëve politikë të vendit në reformën zgjedhore.

Përfaqësuesi i LSI-së nënvizoi se procesi zgjedhor i 8 majit, evidentoi një sërë problemesh ndaj dhe sipas tij, është e domosdoshme një reformë zgjedhore tërësore, që të jetë në funksion të procesit të integrimit të vendit.

“Duke u solidarizuar me qëndrimin e Ambasadorit të OSBE-së, LSI jo vetëm është e gatshme, por fton realisht palët të bëhen pjesë e këtij procesi, veçanërisht fton opozitën të japë kontribut në instiucionet e vendit për të realizuar reformën, si kusht të rëndësishëm për ritme më të shpejta në kuadër të integrimit evropian të vendit”, deklaroi Rama.

Ai vuri në dukje se LSI me kohë ka ndërmarrë iniciativa dhe thekson se është e gatshme të kontribuojë e të japë të gjithë përvojën dhe ndihmesën e vet që ky proces të fillojë menjëherë.

Përfaqësuesi i LSI-së nënvizoi se “koha nuk duhet shpërdoruar siç ka ndodhur më parë dhe nëse opozita është e angazhuar për të qenë pjesë e këtij procesi, është koha për kontribute pozitive e reale dhe jo për fjalë e demagogji”.

Gjithashtu, Luan Rama tha se OSBE do të gjejë tek LSI partnerë korrekt, me kontribut real për realizimin e kësaj reforme në të mirë të interesave të qytetarëve.