Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 16:12

Tiranë – Kuvendi vendosi të enjten të shtyjë deri më 15 maj mandatin e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se me kërkesë të dy bashkëkryetarëve të komisionit, Ilir Rusmali (PD) dhe Damian Gjiknuri (PS), është kërkuar shtyrja dhe me dy javë e punës së këtij komisioni, i ngritur me vendim të Kuvendit më 17 nëntor, me qëllim amendimin e kodit zgjedhor në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Ky është mandati i dytë shtesë në veprimtarinë e këtij komisioni, i cili deri tani ka miratuar me konsensus një sërë amendamentesh, si ato që lidhen me përfshirjen e grave në listat zgjedhore në masën 30%; financimin e partive politike në fushatat zgjedhore; ashpërsimin e sanksioneve për komisionerët që dëmtojnë procesin, numërimin elektronik, ndryshimet e dispozitave për listat e zgjedhësve, etj.

Në seancën e sotme Kuvendi miratoi me konsensus dhe disa p/ligje si ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar “Zatrijebacka-Cijevna-Grabon”, për trafikun ndërkombëtar të pasagjerëve dhe për pikën e kalimit kufitar “ÇEREM-VRANIC”, si dhe ratifikimin e dy marrëveshjeve të financimit me bankën gjermane KfW për projektet për furnizimin me ujë dhe kanalizime për qytetet Berat, Fier, Kamzë, Kuçovë, Lushnje dhe Sarandë. (LajmeShqip.com)