Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 12:27

Tiranë- Aleanca Kuqezi ka shprehur mosbesim për suksesin e sipërmarrjes së 26 partive të vogla, në lidhje me reformën zgjedhore. Përfaqësuesi i Aleancës, Julian Kola u bëri thirrje partive “të mos bien pre e premtimeve para dhe pas elektorale të Berishës i cili nuk do ndryshojë kurrë dhe për asnjë arsye apo premtim sistemin aktual zgjedhor që shqetëson në fakt partitë e vogla.”

Sipas Aleancës Kuq e Zi, “kjo sipërmarrje është kohë e humbur kot për shkak së mbi të gjitha komisioni parlamentar të cilit i drejtohet dokumenti i nënshkruar nuk ka tagrin për të korrigjuar sistemin zgjedhor dhe pragun, por ky komision bën vetëm adresimin e rekomandimeve te OSBE/ODIHR. Alibia e Sali Berishës për të djegur afatet e reformës zgjedhore pa arritur asnjë rezultat u kuptua qartë.”

Nga ana tjetër, Aleanca Kuq e Zi nënvizon se është e përgatitur maksimalisht të garojë në zgjedhje me çdo sistem elektoral.

“Manipulimet sistematike të dy partive të mëdha PD dhe PS nuk do arrijnë të ndalojnë veshjen kuqezi të parlamentit të ardhshëm shqiptar nga një mazhorancë e cila do të vendosë mbi gjithçka prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.”- deklaroi Kola. (B.W)