Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 12:52

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka mbledhur sot përfaqësuesit e njësive vendore, për të diskutuar dhe vendosur rreth  qëndrimeve që mbajnë këta të fundit për reformën territoriale.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se, qeveria “Rama-Meta” është duke i dhënë rrugë reformës nëpërmjet njëanshmërisë në përcaktim e vendosje, pa marrë parasysh konsensusin që duhet të bëjë me opozitën.

“Jemi mbledhur sot në emër të interesave të qytetarëve për të diskutuar dhe për të vendosur për qëndrimet tona ndaj 2 sfidave që ka hedhur qeveria “Rama-Meta”.  Së pari për ultimatumin për të bërë në mënyrë të njëanshme pa konsensusin e opozitës dhe pa konsultimin e të zgjedhurve vendorë të qytetarëve për reformën administrative-territoriale. Së dyti ndaj vendimit më të fundit të qeverisë për shpërndarjen e fondeve publike për qarqet dhe për njësitë vendore që është bërë e qartë në dokumentin e publikuar nga qeveria se propocioni në raport me njësitë ku qeverisin të majtët është një rekord më vete që nuk e gjejmë as në regjimet e apartetit ideologjik dhe racor. 92 për qind për të majtët dhe 8 për qind për të tjerët. Këto janë dy çështje madhore të aktualitetit por edhe të ardhmërisë. I lidh dhe i bën bashkë për të mos dhe i shkrin në një çështje të vetme mendësia antidemokratike e kryeministrit dhe e bashkëpunëtorëve të tij për decentralizimin dhe autonominë e pushtetit vendor. Ngutja e tyre për ta bërë fakt të kryer zgjidhje dhe vendime arbitrare duke anashkaluar apo dhunuar Kushtetutën, ligjet, standardet dhe praktikat e mirëqeverisjes”, – tha Basha.

Ndërkohë Basha vijoi më tej, duke e rritur dozën e shqetësimeve të tij në lidhje me ngarkesën presionuese, që sipas tyre është përdorur nga mazhoranca.

Kryetari i PD-së është shprehur i  irrituar nga ky përshpejtim i qeverisë për reformën, ndërsa vetë ai nuk ka arritur t’iu japë zgjidhje pyetjeve të tilla si: Ç`është kjo thirrje?  Ç`kuptim ka të na thonë po ju presim?  Pse duhet të na e thonë me këtë formë kërcënuese, kur me gojën e kryeministrit thanë se nuk japin konsensus? 

Këto nuk janë aspak pyetje retorike që Basha ka parashtruar përpara përfaqësuesve të njësive vendore, por janë thjeshtë ngërçe dhe moskoordinim i duhur mes palëve.

”Para disa javësh dhe me një intensitet të ditëve të fundit  po na kërcënojnë se nuk presin pa fund për reformën administrative-territoriale. Ç`është kjo thirrje?  Ç`kuptim ka të na thonë po ju presim?  Pse duhet të na thonë me këtë formë kërcënuese-ultimative kur me gojën e kryeministrit thanë se nuk japin konsesus pra duan ta bëjnë pa konsensus. A nuk e kuptojnë se vetëm një mendim poshtërues për pushtetin vendor, për qytetarët, për opozitën e vendit mund të përligj ftesa dhe thirrje të tilla për fasadë. Konsensus nuk ka po ejani bëjmë bashkë vitrinën e konsensusit.  Deri disa javësh propaganda e tyre ishte investuar fuqishëm, ishte ngulitur në opinionin publik mendimin se na kishin ofruar me bujari të gjitha dhe ishim ne që nuk pranonim. Pas shkëmbimit të letrave publike kryeministri u detyrua të dilte nga strofulla e ekuvokeve dhe trukeve dhe deklaronte se ai dhe mazhoranca nuk japin konsensusin me arsyetimin absurd se opozita e do konsensusin për të bllokuar reformën”, – tha Basha.