Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 17:03

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, përsëriti sot ftesën drejtuar opozitës shqiptare për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore ndërsa ritheksoi gadishmërinë e maxhorancës qeverisëse për përmbushjen e të gjitha detyrimeve për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në BE.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha shprehu gadishmërinë dhe përpjekjet e maxhorancës qeverisëse që procesi i integrimit europian të vendit, të ecë dhe ky vizion të qëndrojë vizion dominues. “Do të bëjmë gjithçka, të plotësojmë çdo gjë që është në dorë të kësaj maxhorancë, për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në BE. Brukseli është një “kopësht” me 27 dyer, me Kroacin bëhen 28, kjo kërkon të trokasësh në çdo derë, kërkon të hapen të gjitha këto dyer, nuk është proces i thjeshtë, por është plotësisht i mundur. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka, të përmbushim detyrimet tona para shqiptarëve dhe partnerëve tanë evropian”, nënvizoi kreu i ekzekutivit.

Duke theksuar se këto dy vite do të jenë vite të kurorëzimit të të gjitha reformave në mënyrë që 2013-ta, të hapë horizontin e ri për këtë maxhorancë, Berisha uroi që opozita të marrë përgjegjësitë e veta, pasi sipas tij, “janë një seri reformash që do mund të ndërmerren së bashku”. “Uroj që pakica të heqë dorë përfundimisht nga ideja se ajo mund t`i imponohet shumicës jashtë ligjit, jashtë kushtetutës”, tha Berisha ndërsa u shpreh se janë bllokuar një seri reformash politike për integrimin, vetëm e vetëm që vendi të dëmtohej.

Lidhur me reformën zgjedhore, shefi i qeverisë e konsideroi ligjin aktual, edhe sipas ekspertizës së Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, si bazë solide ligjore për zgjedhjet demokratike, por sipas tij kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësim. Berisha garantoj opozitën se “maxhoranca është tërësisht e gatshme që secili nga ato rekomandime, pa përjashtim, bashkarisht, t’i shndërrojmë në ligje dhe vendime të lidhura me to. T’i adresojmë ato, në interesin më të mirë të Kodit Elektoral, që është kodi më konsensual në historinë e vendit”. Duke uruar që opozita, në interesin e saj, të angazhohet në këtë proces, Berisha tha që për këtë “të ftojmë së bashku Komisionin e Venecias dhe OSBE/ODIHR, të cilët kanë gadishmëri për të ndihmuar parlamentin,komisionin parlamentar zgjedhor, sikundër ftoj, opozitën të përfillë realitetin”.

Ai shtoi se nuk duhet harruar se ka edhe shumë parti të tjera, që të marra së bashku bëjnë sa një parti kryesore, që padrejtësisht u përjashtuan nga pjesa që u takon atyre në procesin zgjedhor. “Mos ta kushtëzojmë reformën vetëm në marrëveshje midis dy forcave kyesore politike.Garantoj të gjitha partitë e tjera të spektrit të maxhorancës dhe opozitës, se ne shkojmë me këtë koncept në reformën zgjedhore”, deklaroi kryeministri.

Gjithashtu Berisha ftoi opozitën që të miratojë edhe ligjin për heqjen e imunitetit, duke nëvizuar se “ky ligj ka ekspertizën e Komisionit të Venecias”. Duke u shprehur se lufta kundë korrupsionit nuk mund të jetë e njëanshme, kryeministri Berisha e konsideroi heqjen e imunitetit të deputetëve, arritje për çdo taksapagues të këtij vendi.