Lajme Shqip Friday, 22 June 2012 16:30

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur sot kritikave të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu për mosdhënien e ende të një përgjigjeje për organizimin e një referendumi popullor për ligjin e importit të plehrave në Shqipëri.

Zëdhënësi Leonard Olli  deklaroi sot se KQZ nuk ka shkelur afatin për shqyrtimin e kërkesës, por se po vijon punën me verifikimin e materialeve, konkretisht verfikimin e firmave që janë hedhur pro mbajtjes së një referendumi. KQZ ende nuk ka dhënë përgjigje për kërkesën që Aleanca Kundër importit të Plehrave dorëzoi më 13 mars në KQZ.
Sipas Ollit afati skadon më 30 qershor.

“Grupi nismëtar i Aleacës kundër Importit të Plehrave dorëzoi më 13 mars, mbi 60 mijë firma . Që nga kjo kohë grupi nismëtar kërkoi që firmat të futet në kuti votimi me kod sigurie. Për 17 ditë KQZ kreu këtë proces. Dhe data e marrjes në shqyrtim e dokumenteve të identifikimit të firmëtareve, nisi më 30 mars. I bie që afati përfundimtar të jetë 30 qershor. “ Zëdhënësi i KQZ-së Olli siguron se para datës 30 qershor KQZ do t’i japë zgjidhje këtij problemi duke paralajmëruar dhe një mbledhje të këtij Komisioni. Ai shton se ka raste kur një person ka firmosur më shumë se 3 herë, “çka na detyron neve të bëjmë verifikimin e nevojshëm me ekspertë”.

AMBIENTALISTET ANKOHEN TE AVOKATI I POPULLIT

Ndërkohë një grup ambientalistësh zhvilluan sot paradite një takim me Avokatin e Popullit, zotin Igli Totozani. Ambientalisti Sazan Guri informoi Avokatin e Popullit se janë mbledhur 60 mijë firma për mbajtjen e referendumit, ndërsa KQZ ka shkelur afatet për marrjen në shqyrtim të kërkesës për referendum popullor. Nga ana e tij  Lavdosh Feruni, kreu i Aleancës kundër Importit të Mbetjeve tha se pretendimet e KQZ-së për firmaat “janë absurde.” Ambientalistët morën mbështetjen e Avokatit të Popullit në lidhje me gjetjen e një zgjidhjeje.  

KRITIKA E ARVIZU
Një ditë më parë gjate promovimit te nismës “Vepro Tani” nga Ambasada e SHBA-së në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile, ambasadori i SHBA-se Aleksandër Arvizu kritikoi vendimin e KQZ-së për të mos marrë në shqyrtim të mbi 60 mijë firmat për referendumin kundër ligjit për importimin e plehrave në vend, duke saktësuar se KQZ po pengon realizimin e referendumit. Sipas tij me këtë veprim KQZ po minon edhe njëherë besimin e publikut për të vepruar me paanësi dhe në interes të gjithë qytetarëve.
(Sh.C)