Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 16:41

Tiranë – Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker u përcolli sot nga Tirana një mesazh të shkurtër dhe të qartë, krerëve të politikës. 

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, pasi vlerësoi kontributet e Shqipërisë në ndihmën e çmuar në Afganistan dhe paqen në Rajon, Reeker kërkoi që vëmendja të përqëndrohet tek reforma, ndërsa paralajmëroi se SHBA do ndjekë nga shumë afër 2013, që përkon me zgjedhjet e ardhshme.

“Siç i thashë Kryeministrit, Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat, si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike; veçanërisht javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar”. 

Me tej, Reeker theksoi se,  Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj demokratizimit të vazhduar të rajonit si dhe integrimit të tij euro-atlantik.
“Mënyra më dinjitoze dhe më e shkëlqyer që Shqipëria të shprehë mirënjohje për mbështetjen e madhe të SHBA është të përkushtohet ndaj vlerave që ne ndajmë si shoqëri të lira”- tha Berisha.

Reeker gjithashtu në fjalën e shkurtër para mediave bëri me dije se mes tij dhe kryeministrit, biseda u përqëndrua tek marrëdhëniet dypalëshe, mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

“Kryeministri dhe unë biseduan për marrëdhënien dypalëshe mes 2 vendeve,. Shqipëria është partner i besueshëm i SHBA-ve. Si gjithmonë, patëm kohë të diskutonim perspektivën europiane të Shqipërisë, zhvillimet në rajon dhe gjithmonë i vlerësoj pikëpamjet e kryeministrit për botën dhe rajonin”.

Berisha
Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohje për mbështetjen që SHBA i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë, duke theksuar se “mënyra më dinjitoze dhe më e shkëlqyer që Shqipëria të shprehë mirënjohje për mbështetjen e madhe është të përkushtohet ndaj vlerave që ne ndajmë si shoqëri të lira.”

Kryeministri Berisha deklaroi se prioriteti më madhor i qeverisë shqiptare është anëtarësimi në Bashkimin Europian, duke nënvizuar vendosmërinë e mazhorancës për të bërë gjithçka që vendi të meritojë statusin kandidat.

“Unë e njoha zotin Reeker me të gjitha reformat e ndërmarra, problematikën që ne përballemi dhe vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka, për të merituar statusin kandidat dhe për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. E garantova se mbetem plotësisht i vendosur për të punuar për pavarësinë e institucioneve.”- u shpreh Berisha.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri bëri të ditur se përmes zotit Reeker i përcolli Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton ftesën për të vizituar Shqipërinë.

Panariti
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, priti sot në një takim Zëvëndës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, z. Philip Reeker.
Ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve si dhe rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara në mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në planin dypalësh ashtu edhe në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Reeker nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Shqipërisë. Ai vlerësoi politikën dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, si dhe, në mënyrë të veçantë, rolin dhe mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Gjithashtu ai vlerësoi angazhimin e forcave të armatosura shqiptare në Afganistan dhe Irak.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Reeker vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmara në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE dhe theksoi mbështetjen e SHBA-ve për aspiratën evropiane të popullit shqiptar. (LajmeShqip.com)