Lajme Shqip Saturday, 11 May 2013 14:56

Prishtinë – Një vendim i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për të ulur shpenzimet ka bërë që patrullat të reduktohen në maksimum nëpër pothuajse të gjitha qendrat e Kosovës. Mungesa e tyre aktualisht ndjehet më tepër në regjionin e Pejës. Ndërkohë që reduktimi i shpenzimeve do të godas edhe njësitet elite policore: Njësitin për intervenime të Shpejta (FIT ) dhe ato speciale ROSU. Komandanti regjional në Prizren, Ahmet Hasi ka thënë se për të respektuar këtë vendim po aplikohen patrullime në këmbë të policëve .
“Po aplikojmë më tepër patrulla këmbë për të reduktuar shpenzimet dhe kjo është për shkak të një metodologjie të brendshme të punës”, ka thënë Hasi.
Kufizimet e shpenzimeve janë ndier më së shumti në regjionin e Pejës. Por, për këto reduktime nuk dhënë shumë shpjegime komandanti regjional Shaban Shala.
Nga tendenca për kufizim shpenzimesh aktualisht është përjashtuar regjioni i Mitrovicës. Komandanti regjional, Nehat Thaci ka thënë nuk bëhet fjalë për ndonjë masë shtrënguese.
“Ne vitin e kaluar kemi pasur reduktim shpenzimesh, kështu që këtë vit kjo nuk vlen për Mitrovicë”, ka thënë Thaçi.
Radio Kosova ka kërkuar shpjegime rreth çështjes së kufizimit të shpenzimeve për Njësinë e Intervenimeve të Shpejta ( FIT), por kreu i kësaj njësie Alban Jetullahu nuk ka dhënë shpjegime rreth efektit të këtyre shpenzimeve në këtë njësi.
Zëdhënësi i policisë Baki Kelani ka thënë se reduktimi ka për qëllim kufizimin shpenzimeve të tepërta por jo për të prekur funksionimin efikas të policisë.
“ Kjo është e planifikuar mirë që në asnjë mënyrë të mos pengohet ndonjë operacion policor i çfarëdo natyre, me përjashtim të menaxhimit të mirë dhe kjo është në fuqi aktualisht në tërë regjionet”, ka thënë Kelani.