Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 16:53

Kryeministri Hashim Thaçi ka reaguar sot ndaj komenteve rreth menaxhimit të integruar të kufirit me Serbinë, duke e quajtur qesharake përzierjen e menaxhimit të integruar të kufirit me çështjen e kufijve.

Në mbledhjen e Qeverisë, ai i kërkoi atyre që kanë bërë komente në lidhje me këtë, që ta lexojnë mirë Ligjin për menaxhimin e integruar të kufirit.

Komentet e fundit rreth futjes së çështjes së menaxhimit të integruar të kufirit në dialogun teknik me Serbinë, kryeministri Hashim Thaçi i ka quajtur qesharake, pasi ato kanë ngatërruar çështjen e menaxhimit të integruar me menaxhimin e kufijve. Ai tha deklarimet e ditëve të fundit nuk kanë të bëjnë me realitetin duke i ftuar ata që ta lexojnë mirë Ligjin për menaxhimin e integruar të kufirit, dhe të mos bëjnë ngatërrime të temave apo pretendime për shtrembërimin e tyre.

Ndër të tjera, rreth kësaj çështje ka komentuar edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi i cili ka thënë se për menaxhimin e integruar të kufijve së pari duhet njohja reciproke e kufirit, e pastaj ratifikimi i tyre në Kuvend.

Në mbledhjen e qeverisë, shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, zv.kryeministrja Edita Tahiri, pasi ka informuar kabinetin për gjendjen në të cilën ndodhet proçesi i bisedimeve, ka specifikuar se në dallim nga marrëveshjet e tjera për menaxhimin e integruar të kufijve me Serbinë, do të ketë marrëveshje të shkruar.

Pos menaxhimit të integruar të kufirit, që është pikë e re që do të jetë pjesë e dialogut teknik, në raundin e ardhshëm do të bisedohet për bashkëpunimin rajonal, telekomunikacionin dhe energjinë.