Lajme Shqip Wednesday, 11 June 2014 15:12

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas disa shkrimeve se AKR-ja pret vota nga Kazakistani, konkretisht nga punëtorët e Mabetex-it që punojnë atje. Pacolli ka thënë se është fyese dhe e pamoralshme të spekulohet me votat nga punëtorët e Mabetexit në Kazakistan.

“Ky spekulim mediatik që ka nisur vetëm dje të prodhohet në kuzhina të caktuara është mjerim mendor i dikujt që është i obsesionuar nga AKR”, ka shkruar ai në Facebook.

“Unë personalisht, nga familja ime dhe askush nga drejtorët e Mabetexit nuk kemi përmendur vota të punëtorëve të MABETEX që punojnë në Kazakistan apo kudo në botë. Njerëzit që punojnë në kompanitë e mija, nuk janë kushtëzuar asnjëherë që të votojnë për ndonjë parti politike”, ka shkruar ai.

Sipas tij, punëtorët në mënyrë dinjitoze janë duke punuar dhe nuk kanë qenë, dhe nuk do të jenë të obliguar që të votojnë jashtë vullnetit të tyre.

“Kjo është arsyeja pse as di se çfarë kanë bërë ata, a kanë votuar, a nuk kanë votuar. Është paradoks që përsëritet kur dëshmitë e ndershmërisë sime si kjo e mospërdorimit të votës së punonjësve, të tentohet të përkthehet në të kundërtën e vet.

AKR respekton çdo votë të qytetarit të Kosovës. Deri më sot nuk janë numëruar ende të gjithë votat dhe ne inkurajojmë institucionet gjegjëse ta përkryejnë deri në fund këtë numërim që është parakusht për proceset e tjera. AKR bën thirrje tek të gjithë spektri politik, që të presin me qetësi numërimin e çdo vote të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar në fund Pacolli.