Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 14:15

Tirane – Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një deklarate për shtyp, referuar pretendimeve të disa mediave për shitje pronash nga ky dikaster, ka sqaruar opinionin publik se, sulmet për një proces, i cili nuk ka asnjë lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes, janë sulme me frymëzim personal kundër Ministrit të Mbrojtjes.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bën të ditur se, “Pronat në fjalë kanë dhjetë vjet që kanë dalë nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura nga ish ministra socialistë që kanë drejtuar ministrinë e Mbrojtjes dhe sipas ligjit i janë dorëzuar ministrisë së Ekonomisë për vijimin e procedurave ligjore”.

Sqarimi zyrtar vijon me detaje të tjera. “Shitja e këtyre pronave nuk bëhet nga Ministria e Mbrojtjes, por nga Drejtoria e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave. Kohën dhe çmimet e shitjes së këtyre pronave nuk i përcakton Ministria e Mbrojtjes, por institucione të ngarkuara me ligj për shitjen dhe privatizimin e pronave shtetërore, ndaj për cdo shqetësim për ligjshmërinë e procesit të shitjes së pronave, duhet t’i drejtohen institucioneve përkatëse si Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë”, theksohet në deklaratën për shtyp të ministrisë së Mbrojtjes.