Lajme Shqip Tuesday, 20 August 2013 12:38

Tiranë- Organi zyrtar i Rilindjes Demokratike ka ngritur një teori të tërë për kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, duke u bazuar vetëm nga fakti se ai ka ndjekur finalen e Superkupës së Italisë, Lacio-Juventus. Sipas RD-së, Rama është oligarku i fshehtë i ekipit të Lacios.

“Edi Rama është një nga aksionerët e Lacios? Kjo nuk mund të jetë një rrufe në qiell të hapur. Prej kohësh burime sportive deklarojnë nën zë se Rama është një prej aksionerëve të fshehtë tek Lacio.
Nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të zyrtarizuar, por për një marrëveshje të mirëkuptuar për të cilën sistemi ynë është disi i paqartë, amatoresk dhe i pafuqishëm për të investiguar ngjarje të tilla, ndërsa ai italian ka provuar se tek Lacio marrëveshje të tilla kanë ndodhur edhe më parë dhe i ka ndëshkuar aksionerët kryesorë të këtij klubi”, shkruan “RD”.
Sipas kësaj të fundit, edhe pse Juventusi, ekipi me të cilin Rama është tifoz, shënoi katër gola, ai u pa i mërzitur në të katërt golat e shënuar, çka tregon “lidhjet” e Ramës me Lacion,raporton Tema.
“RD” shkruan se Rama ka paguar 600 euro për biletën e takimit, ndërkohë që në fakt ai ishte ftuar nga ana e drejtorit sportive të Lacios, Igli Tare.
Pikërisht miqësinë me këtë të fundit, “RD” e ka shfrytëzuar për të ngritur teorinë konspirative.
“Janë të njohura rastet ku oligarkë rusë si Abramoviç tek Çelsi dhe shumë të tjerë shpenzojnë milionat e fituara nga kaosi ekonomik më Rusi në futbollin anglez e gjetkë. Nën shembullin e oligarkëve rusë, tani kanë nisur të hyjnë në futboll edhe oligarkët e rinj kinezë, arabët dhe pse jo edhe një shqiptar si Edi Rama.
Në ndryshim nga të gjithë oligarkët e tjerë, Rama ka një problem tjetër. Nëse Abramoviç dhe të tjerë nuk kanë ambicie për karrierë politike, Rama do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, ndaj ai nuk mund të bëjë publike shumat të cilat ai pastron përmes sportit të futbollit”, shkruan “RD”./b.l