Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 18:44

Bruksel- Në Bruksel ka filluar sot (e hënë pasdite rreth orës 16:00 raundi i shtatë i dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve.

Shefja e ekipit negociator të Prishtinës, Tahiri Edita, ka thënë se shpreson të ketë përparim në dialog, sidomos për menaxhimin e integruar të kufirit.

“Menaxhimi i integruar i kufirit është zgjidhje sipas standardeve evropiane”, ka thënë Tahiri.

Megjithatë,Tahiri u ankua se Serbia deri më tash ka zbatuar vetëm një nga pesë marrëveshjet e arritura në raundet e mëparshme të dialogut, atë të tregtisë së lirë.

Kreu i ekipit negociues të Beogradit, Borisllav Stefanoviq, tha se është optimist se në këtë raund do të ketë një zgjidhje për çështjen e diplomave universitare të lëshura në Prishtinë, për pjesëmarrjen në takime rajonale, si edhe lidhje me menaxhimin e kufirit.

Kurse për telekomunikacion dhe energji elektrike, Stefanoviq, theksoi se në këtë kohë nuk ka gjasa për të arritur një marrëveshje.

Sipas burimeve zyrtare të qeverisë së Kosovës, “do të bisedohet për problemin e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë si dhe për çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimi rajonal”.

Gjithashtu pritet të shtrohet edhe çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes dy vendeve.

Duke folur për menaxhimin e integruar të kufijve, kryeministri Hashim Thaçi tha sot se “është model evropian, në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, ligjet si dhe mandatin e Kuvendit të Kosovës”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha sot pasdite se “të gjitha zgjidhjet që dalin nga procesi i dialogut duhet të jenë zgjidhje evropiane dhe duhet të jenë konform standardeve dhe praktikave më të mira evropiane”.

Dialogu teknik Kosovë-Serbi në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE, i filluar në 8 marsin e këtij viti vazhdon pas dy ndërprerjeve.

Ndërprerja e parë ishte gjatë verës, kur raundi i gjashtë i parashikuar të mbahej më 20 dhe 21 korrik u shty
për fajin e palës serbe, e cila refuzoi njohjen e vulave të Doganave të Kosovës.

Vjeshta solli edhe ndërprerjen e dytë, pasi takimi i raundit të shtatë të bisedimeve, i parashikuar për datat 27 e 28 shtator, nuk u mbajt edhe pse të dy delegacionet, i Prishtinës dhe i Beogradit, ishin në Bruksel, ku të ndarë biseduan me ndërmjetësit.