Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 12:35

Prishtinë – Shefi i EULEX-it Ksavier But de Marnak dhe ICO Piter Feith janë takuar  me presidentin e Kosovës Behgjet Pacolli, me të cilin kanë biseduar lidhur me rastin Limaj. Dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë i kanë thënë Pacollit që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim nëse nënkryetarit të PDK-së mund t’i merret imuniteti prej deputeti, njofton Klan.

Sipas këtij televizioni, mësohet se presidenti Pacolli u ka thënë mysafirëve të tij se nuk është përgjegjës që ai të bëjë një gjë të tillë dhe se kërkesa duhet adresuar te Kuvendi.

Takimi është konfirmuar nga këshilltari i presidentit Pacolli, Ibrahim Gashi, por ai nuk ka zbuluar detajet e bisedimeve. Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i ICO-s Kai Muller Berner, i cili tha se Feith ka takime të rregullta me Pacollin, sikurse u tha se ishte edhe i së premtes paradite.

Ndërkaq, në EULEX kanë thënë se nuk kanë njohuri rreth këtij takimi.

EULEX-i kohë më parë ka ngritur fletarrest kundër Fatmir Limajt për kinse krime lufte, por nuk mund ta ekzekutojë atë përderisa deputeti ka imunitet, përderisa kapja e tij e mundshme paraqet shkelje kushtetuese.