Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 13:24

Prishtinë (PLOTËSUAR 19:30) – Ka përfunduar seanca dëgjimore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndaj deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij, në Rastin “Kleçka”.

Pas seancës, vetë Fatmir Limaj ka thënë se beson që drejtësia do të vihet në vend, nëse veprohet sipas standardeve evropiane.

Ndërkohë, sipas avokatëve mbrojtës, konfirmimi apo anulimi i aktakuzës do të bëhet në javën e ardhshme, përmes një vendimi publik. (LajmeShqip.com)

********************************

Prishtinë (Plotësuar 15:01) – Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka vazhduar edhe sot procesi për konfirmimin e aktakuzës ndaj nënkryetarit të PDK-së njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Famir Limaj dhe 9 ish-luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për kinse krime të kryera gjatë luftës në fshatin Kleçkë të Lipjanit.

Qysh në fillim të seancës së sotme, gjykatësi i rastit në fjalë ia bëri të ditur palës mbrojtëse se kur ishte marrë vendimi për fillimin e hetimeve për rastin Kleçka. Këtë të dhënë e kishin kërkuar dje avokatët e të akuzuarave të prokurorisë.

Gjyqtari tha se hetimet për këtë rast kanë filluar qysh nga muaji shkurt i vitit 2010 deri në muajin gusht të këtij viti.

Sipas avokatëve, këto dokumente është dashur të dorëzohen me rastin e ngritjes së aktakuzës dhe jo tani gjatë procesit gjyqësor. Ata theksuan se sikurse dje edhe sot nuk kanë qenë të barabartë dhe kërkuar që të kenë qasje në dokumentacione.

Kurse prokurori italian, Maorizio Salustro, i cili ka ngritur aktakuzën ndaj 10 ish-luftëtarëve të UÇK-së, tha se avokatët kanë pasur mundësi që të qasen në dokumentacion, por jo edhe t’i fotokopjojnë ato dhe t’i marrin me vete.

Lidhur me këto kundërshtime mes palës mbrojtëse dhe prokurorisë, gjyqtari i rastit tha se do të jap një përgjigje më vonë gjatë procesit. Kështu edhe ka përfunduar seanca e paradites, ndërsa punimet do të vazhdojnë pasdite.

Pritet që pasdite prokurori të jap argumentet e tij për ngritje të aktakuzës, kurse pala mbrojtëse t’i kundërshtojë ato dhe mandej gjyqtari i rastit mund të vendosë pro ose kundër akuzës për rastin Kleçka.

Deputeti Limaj ishte gjykuar njëher për krime luftë në Hagë mirëpo ishte shpallur i pafajshëm. (LajmeShqip.com)

**********************************

Prishtinë – Në gjykatën e Qarkut në Prishtinë po mbahet seanca për konfirmimin e aktakuzës ndaj deputetit të PDK-së Fatmir Limaj dhe nëntë pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së.

Gjatë seancës së paraditës pala mbrojtëse ka replikuar disa herë me prokurorinë për provat dhe faktet të cilat ajo i paraqet në aktakuzë.

Sot po prezantohet pala mbrojtëse.

Prokuroria speciale e EULEX-it i akuzon ata për krime lufte dhe keqtrajtim të civilëve serbë dhe shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Limaj e ka cilësuar këtë si proces gjyqësor të konstruktuar në Beograd. (LajmeShqip.com)