Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 13:51

Prishtinë (PLOTËSUAR, 20:40)- Deputeti Fatmir Limaj, njëhersh nënkryetar i PDK-së, si dhe nëntë ish-pjesëtarë të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm sot në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku ka nisur procesi lidhur me akuzat për krime lufte në vitin 1999 në fshatin Kleçkë, sipas pretendimeve të prokurorit.

Mbrojtja ka kërkuar që seanca kryesore të shtyhet për në muajin shkurt, pasi dokumentet që përmbajnë akuzën i ka marrë me vonesë dhe nuk kanë pasur kohë për t’i analizuar, ndërsa ka theksuar edhe faktin se dëshmitari kyç në këtë rast, i cili njihej si dëshmitari “X”, ka vdekur. Gjykimi do të vazhdojë të hënën.

Në fillim të shtatorit njoftohej zyrtarisht se një gjykatës i EULEX-it e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur për rastin Kleçka me 25 korrik në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

***********************

Prishtinë (PLOTËSUAR, 16:37) – Burime të Portalit nga Gjykata bëjnë të ditur se është propozuar ndërprerja e arrestit shtëpiak ndaj Fatmir Limajt dhe tre personave tjerë që ishin poashtu në arrest shtëpiak.

Burimi bënë gjithashtu të ditur se mbrojtja ka kërkuar përjashtimin e prokurorit nga rasti, hedhjen poshtë e të gjitha dëshmive të ofruara nga dëshmitari X si dhe ka thirrë prokurorin si dëshmitarë për të dëshmuar për trajtimin që i është bërë Agim Zogajt, alias dëshmitarit X.

Kërkesat me shkrim mbrojtja duhet t’i paraqesë në Gjykatë deri të hënën, kur edhe pritet të vazhdon seanca në orën 11:30.(LajmeShqip.com)

***********************

Prishtinë – Burime të portalit LajmeShqip.com kanë bërë të ditur se dhjetë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar në rastin Limaj, janë deklaruar të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërkohë, është konfirmuar se Prokurori i rastit, Mauricio Salustro, ka hequr dorë nga Pika 2 e Aktakuzës kundër të akuzuarit Arben Krasniqit.

Ndërkaq, pasi që janë kryer të gjitha procedurat formale, pala mbrojtëse, qysh në fillim, ka kërkuar shtyerjen e procesit gjyqësor deri në muajin shkurt të vitit 2012, me arsyetimin se një numër të madh materialesh nuk i ka pranuar, ndërsa një numër tjetër dëshmish të dëshmitarëve i ka pranuar dje, sipas saj, në kohë të pamjaftueshme.

 Sipas burimit të portalit, prokurori e ka kundërshtuar shtyerjen e procesit dhe ka kërkuar që ai të vazhdojë në bazë të orarit të caktuar. Bëhet e ditur se ky do të jetë proces relativisht i gjatë gjyqësor dhe me shumë tensione e kundërshtime në mes të prokurorit dhe palës mbrojtëse. Mbrojtja, po ashtu, e ka kontestuar dëshminë e Dëshmitarit X, duke konsideruar se ai ka pasur probleme shëndetësore mendore, duke i marrë për bazë edhe shkrimet e fundit të publikuara në media.

Portali LajmeShqip.com, pas tragjedisë së vetëvrasjes së Dëshmitarit X, alias Agim Zogaj, e kishte publikuar ekskluzivisht, në tri pjesë, videoregjistrimin e dëshmisë së tij, e kosnideruar si dëshmia kyqe në Rastin Kleqka. (LajmeShqip.com)