Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 13:07

Prishtinë (PLOTESUAR 16:00) -Qeveria e Kosovës mirëpret shpalljen e pafajësisë për dhjetë të akuzuarit në rastin “Kleçka”, mes të cilëve deputeti Fatmir Limaj. “Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës përshëndes vendimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës për lirimin e komandantëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të pafajshëm”, tha  kryeministri Hashim Thaçi.

“Ne gjithmonë i kemi dhënë mbështetje të plotë drejtësisë dhe kemi besuar plotësisht dhe kemi qenë të bindur në pafajësinë e komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së”, shtoi ai.
“Prandaj, sot, qeveria, të gjitha institucionet, qytetarët e Kosovës e mirëpresin ngadhënjimin e drejtësisë mbi paragjykimet dhe pretendimet tjera të pajustifikueshme”, tha Thaçi duke u uruar të shpallurve të pafajshëm rikthim në angazhimet e tyre shtetërore dhe familjare.

“Po në të njëtën kohë më lejoni të uroj me besim të plotë në lirimin e shpejtë edhe të Ramush Haradinajt dhe bashkëluftërave të tij”, (nga Gjykata e Hagës), shtoi ai në mbledhjen e qeverisë së sapo filluar. (LajmeShqip.com)

***************************

Prishtinë – Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, është liruar nga akuzat për krime lufte në rastin “Kleçka”.

Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqin, që të gjithë u shpallën të pafajshëm në këtë rigjykim që u mbajt sot në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Trupi gjykues i udhëhequr nga Jonathan Welford-Carroll, disa javë më parë vendosi që gjashtë të akuzuarit për rastin “Kleçka” të shpallen të pafajshëm, ndërsa për Limajn dhe tre bashkëluftëtarët e tij, kishte vendosur të mbahet rigjykim.

Ky vendim erdhi pasi trupi gjykues, vendosi që dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”, të jenë të papranueshme. Ndërkaq, Prokurori Maurizio Salustro ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të sotëm të shqiptuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. (N.A)