Lajme Shqip Wednesday, 05 June 2013 10:14

Prishtinë -(E plotësuar)  Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi ka dëshmuar në rastin Kleçka. Zyrapi gjatë marrjes në pyetje nga Karim Kan, avokat i Fatmir Limajt, ka thënë se në Kleçkë nuk ka pasur burg. Zyrapi gjatë dëshmisë së tij, siç njofton K. Press, ka thënë se ai asnjëherë nuk ka marrë ndonjëherë ankesa nga askush për rrahje apo maltretime nga Limaj e nga të tjerët.

Ai ka thënë se Limaj ka qenë drejtor i Drejtorisë së Policisë ushtarake, që ka pasur funksion të rregullojë dhe të trajnojë policinë ushtarake, të nxjerrë rregullore dhe të inspektojë punën e tyre, por jo të jap urdhra. Zyrapi ka thënë se në zonat operative ka pasur dhoma të ndalimit por jo burgje. 

 

Rasti “Kleçka”, dëshmon Bislim Zyrapi

 

Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, konkretisht nga sallën e improvizuar në “Kinemanë ABC1”, në rastin “Kleçka” do të dëshmojë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi.

Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, ka bërë me dije për “Epokën e re” se nëse pala mbrojtëse nuk do të propozojë ndonjë dëshmitar për këtë proces atëherë, pas dëshmisë së Zyrapit, do të dëshmojnë edhe dy ekspertë.

Rrecaj, ka thënë se për Zyrapin janë rezervuar dy ditë që ai të merret në pyetje nga ana e prokurorit Maurizo Salustro, kryetari i trupit gjykues, Malkom Simons dhe pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin “Kleçka”.

“Bislim Zyrapi është dëshmitar i prokurorisë, i cili do të dëshmojë për rastin ‘Kleçka’. Për dëshminë e Zyrapit janë të rezervuara dy ditë. Nëse ka nevojë sigurisht do të vazhdohet edhe me ndonjë ditë tjetër. Pas Zyrapit do të dëshmojnë edhe dy ekspertë, njëri është i prokurorisë, tjetri i mbrojtjes”, ka thënë Rrecaj. 

Në këtë kontekst, ai ka thënë se pret nga dëshmitari Zyrapi ta thotë të vërtetën. 

Avokati i Limajt ka thënë se sot (e mërkurë) trupi gjykues mund të vendosë për çështjen e deklaratave të Urim Krasniqit, i njohur si dëshmitari “I”. “Siç e dini, dëshmitari ‘I’ ka marrë një dënim nga ana e gjykatës për mosdhënien e dëshmisë. Tani është nën autoritetin e gjykatës të vendosë për çështjen e pranueshmërisë ose jo të deklaratave të tij të mëhershme të dhëna në polici dhe prokurori”, ka thënë Rrecaj.