Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 14:52

Prishtinë –  Avokatet e të akuzuarve për krime lufte në të ashtuquajturin rasti “Kleçka”, kanë dorëzuar sot në Gjykatën Supreme ankesë kundër vendimit të gjykatës për masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Deputeti i PDK-së Fatmir Limaj, Naser Shala , Nexhmi e Naser Krasniqi janë paraburgosur të shtunën nga EULEX-i, pasi gjykata kishte vendosur që ky rasti i gjykuar ku ata liroheshin në shkallën e parë të kthehej në rigjykim.

Siç bën të ditur RTK, pala mbrojtëse i është drejtuar sot një kolegji të Gjykatës Supreme për të kërkuar anulimin e aktvendimit që ka lëshuar kjo gjykatë të shtunën me të cilin ka dhënë 30 paraburgim për katër persona të akuzuar për krime lufte. Njëri nga avokatët ai i Nexhmi Krasniqit, Mahmut Halimi, ka konfirmuar dorëzimin e ankesës për të katër të paraburgosurit. “Kemi dorëzuar ankesë dhe kemi arsyetuar se gjykata ka vendosur në tërsi pa i shqyrtuar shkaqet objektive e subjektive për secilin të akuzuar veç e veç”, ka thënë Halimi.

Paraburgosja e katër të akuzuarve në rastin “Kleçka” vinte pasi EULEX-i ka arsyetuar dyshimet se ata mund ta lëshonin shtetin, me qëllim që ta shmangnin procedurën penale. Muaj më parë gjykata kishte hedhur si të papranueshme dëshminë kryesore të Agim Zogajt i njohur si dëshmitar X.

Kjo kishte çuar tek lirimi i të gjithë të akuzuarve në këtë rast. Por, prokurori i rastit Mauricio Salustro kishte deponuar një ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë. Pas kësaj Gjykata Supreme ditë më parë vendosi që rasti të kthehet në rigjykim duke shpallur tashmë të pranueshme provat e dëshmitarit Zogaj. Limaj dhe të tjerët akuzohen se gjatë vitit 1999 kanë kryer krime ndaj civilëve serbë e shqiptarë në shtabin e UÇK-së në Kleçkë.

Pa e konsideruar ndërhyrje në punën e gjyqësorit kreu i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një deklaratë për RTK ka thënë se paraburgimi i Limajt, i është i padrejtë dhe i motivuar politikisht. Ai e ka cilësuar këtë vendim si “masakër e drejtësisë” në Kosovë.

Ndërsa pala mbrojtëse i kanë kërkuar sqarim shefit të EULEX-it Xavier De Marnak se pse paraburgimi ka ndodhur ditën kur ai po qëndronte në Beograd duke e konsideruar këtë një ndërlidhje të veprimeve të politikës me drejtësinë.(LajmeShqip.com)