Lajme Shqip Saturday, 15 March 2014 15:04

Rajoni i Krimesë në Ukrainë do të mbajë nëse referendum për të vendosur mbi statusin e saj: nëse do t’i bashkohet territorit të Rusisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i bashkohet shqetësimit të shprehur nga komuniteti ndërkombëtar mbi paligjshmërinë dhe rrezikshmërinë e referendumit.

Ministria jonë e Jashtme thekson se, “ky referendum është i paligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Ukrainës dhe të drejtën ndërkombëtare dhe nuk mund të shërbejë si bazë për asnjë ndryshim të statusit të Krimesë”.

MPJ i bën thirrje Rusisë që të ndalojë veprimet në mbështetje të kësaj iniciative pasi kjo gjë destabilizon dhe cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës.

Ajo që është më e rëndësishme. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë “dënon me force çdo pretendim, se deklarimi i pavarësisë së Krimesë duhet të trajtohet në mënyrë të njëjtë si deklarimi i pavarësisë së Kosovës”, raporton shekulli.

“Keqpërdorimi i Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, për të justifikuar ligjshmërinë e referendumit të propozuar në Krime, nuk ka asnjë bazë ligjore dhe asnjë ngjashmëri të rrethanave historike dhe faktike”, përfundon reagimi.

Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka krahasuar rastin e Krimesë me Kosovën duke kërkuar që qytetarët e këtij rajoni të lihen të lire për të vendosur për të ardhmen e tyre. “Do të kemi kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shikoni për shembull njerëzit në Kosovë që lejohen të votojnë, atëherë pse duhet t’ua mohojmë këtë njerëzve të Krimesë. Por nuk do të provokojmë që njerëzit në Krime të kërkojnë pavarësi apo të bashkohet me Rusinë”, u shpreh Putin.

Merkel

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkle duke folur në parlament u shpreh se është e turpshme të krahasosh pavarësinë e Kosovës me referendum për pavarësinë në Krime. “Në Kosovë kemi pasur vite kur bashkësia ndërkombëtare nuk kishte fuqi për të ndërhyrë, ndërsa Sllobodan Millosheviç kreu spastrim etnik atje. NATO më pas vendosi të veprojë vetëm për shkak se Rusia vazhdimisht bllokonte çdo trysni të OKB-së mbi Serbinë”, tha Merkel. “Kjo situatë, nuk është në asnjë mënyrë e ngjashme me atë që po ndodh sot në Ukrainë. Në qoftë se ka pasur shkelje të tjera të ligjit ndërkombëtar. Kosova nuk qenë një prej tyre. Veprimet e Rusisë në Ukrainë janë një shkelje e të drejtës ndërkombëtare.”