Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 17:08

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me procesin e privatizimit të Hotel Grand-it, dhe 3.6 milion eurot që Astrit Haraqia ia kërkoi Pacollin. Vetëvendosje thotë se ky është vetëm një rast që tregon për përfshirjen e nivelit të lartë politik në procesin e korruptuar të privatizimit.

Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate për media ka përsëritur kërkesën e saj për largimin e kësaj qeverie për shkak të krimit që kjo qeveri po e kryen ndaj popullit të Kosovës, pasi që vetëm rasti i fundit i akuzave dhe dëshmive në lidhje me procesin e privatizimit të Hotelit Grand tregojnë për përfshirjen e nivelit të lartë të qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, në dëshminë e tij të dhënë në prokurori kishte treguar se si vitin e kaluar, zëvendësministri i financave Astrit Haraqia kishte vizituar Pacollin në shtëpinë e tij siç kishte bërë edhe shumë herë më parë, por kësaj radhe kishte kërkuar, në emër të të tjerëve 3.6 milion Euro nga Pacolli për ta përfunduar “punën” e Grandit.

Sipas, Vetëvendosjes, Pacolli me deklaratën e tij e ka refuzuar zëvendësministrin Haraqia por nuk e kishte lajmëruar atë tek organet e drejtësisë, përkundrazi e kishte lënë këtë njeri, sipas tij të korruptuar, që ta kryejë detyrën e tij si zëvendësministër i Financave, duke ia lënë në përgjegjësi menaxhimin e buxhetit të Kosovës.

“Kjo si duket është e zakonshme për qeverinë e Republikës së Kosovës. Gjëra të tilla jo vetëm që nuk raportohen, por edhe vlerësohen”, thuhet në komunikatë.

Afera e Grandit është vetëm një prej aferave që zbulojnë emra qeveritarë në keqpërdorimet e buxhetit të shtetit, dhe të pasurive të tjera publike e shoqërore të Kosovës. Në anën tjetër nga qytetarët e Kosovës po kërkohet të jenë të durueshëm e të qetë në kohën kur çdo gjë para tyre po vidhet, falet, keqpërdoret e shitet.(LajmeShqip.com)