Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 08:00

Tiranë- Tomás Jirsa (Republika Çeke, Grupi Evropian Demokrat) dhe Grigore Petrenco (Republika e Moldavisë, Grupi i të Majtës së Bashkuar Evropiane), bashkë-raportues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria, nisin të hënën një vizitë faktmbledhëse në Tiranë.

Sipas njoftimit për shtyp nga zyra e Këshillit të Europës në Shqipëri, gjatë vizitës së tyre dyditore bashkëraportuesit pritet të takohen me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin e Drejtësisë, Eduart Halimi.     

Bisedime janë planifikuar dhe me liderët e partive politike, me delegacionin shqiptar në APKE, me komisionin parlamentar për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe me përfaqësues të OJQ-ve dhe komunitetit diplomatik.

Diskutimet do të përqendrohen kryesisht në reformat elektorale dhe parlamentare, në luftën kundër korrupsionit, zhvillimet në lidhje me zgjedhjet e ardhshme presidenciale, si dhe në hetimin e ngjarjeve të janarit 2011. (LajmeShqip.com)