Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 15:07

TIRANË- ‘Dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”…Zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, pritet një garë e egër, përparimi për shtetin e së drejtës i pakët”, janë disa nga pikat që përfaqësuesi i OSBE në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka nënvizuar në raportin për Shqipërinë të prezantuar sot në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, 20 shtator 2012. 

Në përgjithësi, përfaqësuesi i zyrës së OSBE në vendin tonë thekson se klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë.

“Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të PS në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen, në muajin dhjetor, të Avokatit të ri të Popullit”.

Por, sic theksohet në raport, gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e, madje, në ngecjen e reformave, në një sërë sektorësh.
“Megjithatë, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu, sërish, si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake. Gjithsesi, dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”.”

ZGJEDHJET 2013-DO JENË TË EGRA
E ndërsa bën analizën për 12 muaj që u lanë pas, ambasadori Wollfarth në raport bën dhe një parashikim për vitin 2013. Në fokus, thekson ambasadori, do të jenë zgjedhjet parlamentare. Klima? E egër, Fitorja? Qeveria e re nuk do të arrijë të konstituohet para seancës së parë plenare.

“Zgjedhjet më të fundit të përgjithshme të 2009-s dhe ato për qeverinë vendore të 2011-s dëshmuan periudha para dhe paszgjedhore tejet të polarizuara dhe të politizuara, të cilat janë ende shumë të gjalla në kujtesën politike të publikut.

Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk do të konstituohet zyrtarisht përpara seancës së parë plenare të legjislaturës së re” 

NISHANI DO VIHET NË QENDËR TË DEBATEVE
Ambasadori i OSBE në vendin tonë parashikon gjithashtu se Presidenti nuk do t’u shpëtojë debateve politike.
“Ka gjasa që ai të vihet në qendër të disa debateve të tensionuara publike, që nga kjo vjeshtë, në lidhje me disa emërime të mundshme nga ana e tij të Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen me marrjen e pëlqimit të qartë të Kuvendit”.

BEFASI ZGJEDHJA E DISA MINISTRAVE
“Zgjedhja e Presidentit çoi edhe në disa ndryshime në Këshillin e Ministrave. Ndonëse emërimi i një Ministri të ri të Brendshëm ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit, ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur”, nënvizon raporti i OSBE për Shqipërinë.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT
Raporti vë në dukje se ishte një ngjarje politike e një profili të lartë për vitin 2012, me shumë raunde votimi të planifikuara në Kuvend, gjatë muajve maj dhe qershor.
Duke përshkruar këtë proces, Wollfarth thekson se mbi të gjitha procesi ishte kushtetues edhe pse nuk coi në një konsensus.
“Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik”.

REFORMA ZGJEDHORE
Zyra e OSBE në vendin tonë përshëndet arritjen e një marrëveshje ndërpartiake në Kuvend, por nuk harron bllokimin që i solli politika kësa reforme.
“Megjithëse ky komision vuajti nga disa periudha të parashikueshme bllokimi politik, gjë që shtroi nevojën e shtyrjes së mandatit të tij tri herë, ai më, në fund, mundi të prodhonte një tekst të rëndësishëm, i cili gëzoi konsensusin e gjerë të partive kryesore politike”.

Rëndësi sipas Wollfarth, tani ka zbatimi në praktikë. “Theksi duhet vënë tashmë te zbatimi i plotë dhe me përpikëri i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ashtu siç bëhet e qartë në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, arritja e kësaj detyre do të kërkojë që të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. 

REFORMA PARLAMENTARE
“Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar”.

SHTETI I SË DREJTËS
Zyra e OSBE në Shqipëri thekson se hezitimi për të vepruar në përputhje me ligjin sjell dobësi të institucioneve shtetërore. Klientelizmi, thekson raporti është kërcënimi në vazhdim. “Sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Ndonëse kjo dobësi vjen, kryesisht, për shkaqe të hershme, si për shembull klientelizmi i përhapur, presioni i pavend mbi institucionet për t’u bindur, si rrjedhojë e betejës së vazhdueshme politike për pushtet, nuk e ka përmirësuar situatën. Shqipëria vazhdoi t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te përmirësimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues”. 

VENDIMET E GJYKATAVE-GËRDECI DHE PËRGJIMI META-PRIFTI
Gjyqi i Gërdecit nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimit e gjykimit të drejtë. Kështu citon raporti üër Shqipërinë në OSBE. “Vendimi i shkallës së parë marrë për të ashtuquajturën çështje të Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një fabrikë të çmontimit të municioneve, nga i cili mbetën të vrarë 26 vetë në vitin 2008, i dha fund një gjyqi që zgjati më shumë se tre vjet dhe 200 seanca. Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë”.

Ambasadori i OSBE theksoi në veçanti, kohëzgjatjen e tepruar të gjyqit. “Shtyhej shpesh kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ngriti shqetësime të herëpashershme. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, si aktori kryesor që mund të ndreqë rrethana të tilla, vazhdimisht nuk veproi”, ndërsa raporti shton se shqetësim ishte mosparaqitja në gjyq e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

“Një tjetër shqetësim ishte se ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave”.

Kurse në lidhje me gjyqin e përgjimit Meta-Prifti, OSBE thekson shpalljen të pafajshëm të ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta si dhe rrëzimin e provave. “Në një tjetër çështje, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash”. (LajmeShqip.com)