Lajme Shqip Thursday, 23 August 2012 17:53

Tirnë -Në Itali ka disa grupe kriminale shqiptare, të cilët veprojnë në të gjithë territorin e vendit, por kanë persona të caktuar, të cilët jetojnë në Shqipëri dhe japin urdhra prej andej. Zakonisht këta persona sigurojnë ngarkesat e drogës si dhe gratë për t’u shfrytëzuar me qëllim prostitucioni, si dhe të gjitha llojet e tjera të trafiqeve të paligjshme. “Në këtë përfundim ka dalë Drejtoria e Antimafias në Itali, e cila ka prezantuar vetëm pak ditë më para në Senatin Italian, raportin për aktivitetin kriminal në këtë shtet për 6-mujorin e dytë të vitit 2011. “Gazeta Shqiptare” ka arritur të sigurojë një kopje të raportit prej 356 faqesh, i cili u është prezantuar në ditët e fundit të korrikut anëtarëve të Sentatit. Në këtë raport, DIA (Drejtoria e Antimafias) i ka kushtuar një kapitull prej 10 faqesh, aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare që veprojnë në Itali.

Raporti i Antimafias
Në mesin e grupeve kriminale me origjinë nga Ballkani, ato shqiptare prej kohësh janë shumë prezente, aq sa tashmë kanë fituar një nivel rrezikshmërie të mjaftueshëm për të zënë një vend në plan të parë në skanerin e kriminalitetit në vend. Të favorizuar sa nga afërsia gjeografike me vendin tonë, që shpeshherë përdoret si portë hyrëse drejt Bashkimit Europian, aq edhe nga bashkëpunimet dhe shkëmbimet me grupet kriminale vendase.

Emigracioni klandestin, skllavërimi, vjedhjet dhe krime të tjera kundër pronës e shfrytëzimi i prostitucionit vijojnë të mbeten mes krimeve më të shpeshta. Në këtë të fundit shpeshherë ka dhe bashkëpunim mes shqiptarëve dhe etnive të tjera, por edhe të italianëve (që mbajnë role vendimtare).

Droga
Sektori i lëndëve narkotike është në të vërtetë biznesi kryesor i kriminalitetit shqiptar. Mundësia e marrëdhënieve me bashkatdhetarë të tjerë në vende të tjera të botës, si dhe mundësia për të shfrytëzuar bazën logjistike në territorin e origjinës, u kanë dhënë mundësi shqiptarëve për të fituar një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës, aq sa bëhen ndërmjetës të privilegjuar të shoqatave italiane dhe të huaja.

Përsa i përket aspektit të bashkëpunimit, i rëndësishëm ka qenë hetimi i quajtur “Ispanico”, i drejtuar nga DDA e Napolit, i cili përfundoi më 11 mars 2011 me shkatërrimin e një grupi kriminal italo-shqiptar, i cili merrej me trafikimin ndërkombëtar të hashashit dhe ishte i lidhur me një grup kamorrist.

Në raste të tjera, shtetasit shqiptarë kanë marrë përsipër shpërndarjen, duke u lënë klaneve mafioze vendase detyrën e drejtimit të sasive të lëndës narkotike.
Hetimet e pandërprera, të mbështetura edhe nga iniciativat e ndërmarra në Europë dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet forcave policore të ndryshme, ka theksuar se edhe gjatë këtij 6-mujori ka pranim në territorin e vendit tonë të grupeve të mirëorganizuara, të përbëra nga bërthama, ku disa prej të cilave operojnë në Itali, por që janë të lidhura direkt me përfaqësuesit e stacionuar në Shqipëri, të cilët i kanë të përcaktuara mirë përgjegjësitë e tyre. Zakonisht këta të fundit sigurojnë ngarkesat e drogës si dhe gratë për t’u shfrytëzuar me qëllim prostitucioni, si dhe të gjitha llojet e tjera të trafiqeve të paligjshme. 

Veçoritë
Mes grupeve të ndryshme të shtrira në të gjithë territorin e vendit, grupet shqiptare konkurrojnë me to, me aktivitetin ekzekutiv në fazën e fundit të trafikut, ku u duhet të vendosin drogën, të drejtojnë tregun dhe të futën në territorin e përzgj-edhur, duke shtrirë lidhjet me persona nga grupet kriminale vendase. 

Nga hetimet e kryera nga forcat e policisë është konfirmuar se aktiviteti kriminal i shqiptarëve është i ndarë në tre module:

– Grupe të mirëstrukturuara, të lidhura me persona nga Shqipëria, që arrijnë të krijojnë raporte me organizatat vendase të tipit mafioz.
– Klane të organizuara, me një numër të vogël personash, të lidhur mes tyre.
– Grupe personash, shpeshherë të përbëra nga persona të lidhur me organizatat kriminale, që në disa raste mblidhen në bandë për të kryer krime.

Profilet e fenomenit unifikues, megjithatë, përbëhen nga ndjenja e fortë e përkatësisë e deri në përdorimin e metodave të dhunshme, në respektim të vlerave të “besnikërisë” dhe “nderit”, në prirje për të bashkëpunuar me grupe të etnive të tjera, përfshi edhe ato vendase. Grupet mes kriminalitetit shqiptar dhe atij vendas, në shumicën e rasteve të tipit mafioz, vazhdojnë ende të regjistrohen në vend, të mbështetura nga bashkëpunimi ekonomik dhe të favorizuar nga mungesa e kundërshtive mes njëri-tjetrit, që rrjedhin nga dominimi i zonave të caktuara.

Nëpërmjet hetimeve të policisë përsa i përket shfrytëzimit të prostitucionit, është e mundur të konfirmohet forca e madhe e grupeve shqiptare dhe atyre rumune, në bashkëpunim edhe me grupet kriminale vendase. Viktimat janë të detyruara të zbatojnë urdhrat e shfrytëzuesve të tyre, duke siguruar në këtë mënyrë një kontroll të vazhdueshëm të tyre, e krahasuar ndryshe me një formë skllavërie. Krimet kundër pronës të kryera nga shqiptarët tregojnë tendencën e përhapjes së tyre në të gjithë territorin e vendit, ku veçohen vjedhjet dhe grabitjet.

Zonat
Në veri të Italisë prezenca e grupeve kriminale shqiptare, konfirmohet në Lombardia, Trentino Alto Adige dhe Emilia Romagna. Në zonën qendrore janë më së shumti në Marche dhe Umbria, ndërsa në jug në Puglia dhe Campania. Në Piemonte grupet shqiptare janë të pranishëm në tregtimin e lëndëve narkotike, e cila ju vjen nëpërmjet rrugëve të ndryshme të transportit. Heroina vjen direkt nga Shqipëria, ndërsa kokainë në shumicën e rasteve përshkruan rrugë që kalojnë nga Holanda.

LOMBARDIA
Në Lombardi, kriminaliteti shqiptar regjistron një mënyrë tjetër të krimit, në krahasim me të kaluarën. Nëse trendi do të konfirmohej edhe në të ardhmen, do të mundë të konfirmohej një integrim më i madh i komunitetit shqiptar në socio-ekonominë e zonës. Sidoqoftë, vijojnë të regjistrohen episode të mikro-kriminalitetit të shpërndara në qendrat kryesore, veprime këto të kryera nga persona të vetëm ose grupe të vogla që veprojnë në mënyrë të pavarur, ose në bashkëpunim me etni të tjera. Gjithashtu ka dhe episode që tregojnë interesin e përhershëm të shqiptarëve në trafikun e lëndëve narkotike, të organizuar bashkë me shtetas italianë dhe të etnive të tjera.

Një tjetër sektor me interes, i shtrirë në pjesën më të madhe të territorit të Lombardisë, është shfrytëzimi i prostitucionit, i cili vijon të jetë njësoj si vitet e shkuara, me një tendencë për të shkuar drejt autonomisë së drejtimit të të gjithë aktivitetit, pa përjashtuar as bashkëpunimet me grupe të etnive të tjera, kryesisht atyre rumune. Në këtë kontekst janë zbuluar veprime të dhunshme të disa grupeve kriminale shqiptare. Kundërshtitë që hasen, shpesh sjellin përplasje të dhunshme, kryesisht të lidhura më ruajtjen e ekskluzivitetit të zonave të shfrytëzimit të prostitutave.

Triveneto
Triveneto përfaqëson, nga pikëpamja territoriale, një derë të hapur në Evropën lindore, domethënë ajo zonë e kontinentit në të cilën janë hasur ndryshimet më të dukshme politike e sociale, disa prej të cilave kanë shkaktuar devijime kriminele, duke dhënë impakt edhe në Evropën Perëndimore, sidomos sa u përket trafikimeve të jashtëligjshme të mallrave dhe të njerëzve. Krimet e bëra nga grupet kriminale shqiptare në këto zona janë kontrabandizmi, emigracioni i jashtëligjshëm dhe trafikim droge.

Ligruia
Në Liguria hasen komunitete të huaja përbërësit e të cilëve shfaqen në mënyrë jo homogjene. Domethënë, nëse nga njëra anë ka prirje për t’u integruar në fushën social-ekonomike, nga ana tjetër ka shumë persona që përfshihen në fushën e krimit. Midis tyre shqiptarët dallohen për krime kundrejt trashëgimisë, për shfrytëzimin e prostitucionit dhe për abuzime me lëndët narkotike. Në lidhje me këtë bëhen të ditura edhe operacionet policore më të përhapura sidomos lidhur me drogën. Për shkak të ndalesave në port Liguria shërben si qendër për sistemin e importit të drogës (sidomos në Amerikën e Jugut dhe në Spanjë). Kjo lloj situate konfirmohet nga sekuestrimi i sasive të mëdha të lëndëve narkotike gjatë viteve. Janë hasur edhe ndryshime në strukturat e organizatave kriminele çdo ditë e më shumë për shkak të përbërjes së tyre nga italianë dhe të huaj.

Toskana dhe Emilia Romagna
Në Toskana dhe Emilia Romagna organizatat kriminele shqiptare kanë gisht në të gjitha llojet e aktiviteteve të jashtëligjshme. Grupe kriminele shqiptare kanë shfaqur tendencën për t’u përfshirë në organizata mafioze duke bërë aleancë me shoqata kriminele vendase, por edhe të etnive të tjera. Këto marrëveshje bëjnë të mundur realizimin e aktiviteteve të jashtëligjshme si trafiku i drogës, prostitucioni, emigrimi klandestin dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Po ashtu janë hasur edhe grupe të vogla kriminele shqiptare të pa përfshira në organizata të mirëfillta, të cilat janë bërë përgjegjëse për grabitje të pasurive apo të njerëzve. 

Italia Qendrore
Përhapja e fenomenit kriminal shqiptar (në raport shënohet ‘schipetara’) në të tjera zona qendrore Marche, Umbria, Lazio e Abruzzo të territorit kombëtar, edhe pse e kundërshtuar gjerësisht nga pjesa info-operative, vazhdon ashtu siç është verifikuar përmes një sërë aktivitetesh gjyqësore. 

Campania
Në Campania analiza e rezultateve të aktiviteteve investiguese paraqet një pamje të sektorëve dhe të zonave më të ndikuara nga sulmet kriminale, dhe evidenton rolet e metodat në bashkëpunimin midis kriminelëve shqiptarë dhe atyre kamorristë. Edhe në këtë rast sektorët e interesave të jashtëligjshme janë kryesisht të lidhur me trafikun e drogës, i bërë kryesisht në konkurrencë me subjekte që u referohen klaneve kasertane me shfrytëzimin e prostitucionit dhe grabitjes së pasurisë.

Puglia
Puglia ka qenë historikisht vendi i përzgjedhur i kriminelëve me kombësi shqiptare. Ngjarjet e fundit konfirmojnë se në këtë zonë gjeografike mbizotëron qëndrimi i shqiptarëve në sajë të lidhjeve që janë krijuar gjatë viteve. Brigjet salentine dhe porti i Brindisit vazhdojnë të jenë pikë hyrjeje për lëndët narkotike dhe për armë me prejardhje nga Shqipëria.

Italia e Jugut
Sa u përket zonave të tjera të jugut të Italisë konfirmohet fakti që grupet kriminale të huaja preferojnë të veprojnë në zona ku presioni i mafias lokale është më i vogël, duke iu përkushtuar tregut të drogës në veçanti dhe duke ua lënë grupeve kriminale vendase organizimin e trafikimit. (LajmeShqip.com)