Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 18:46

Prishtinë – Në raportin e OSBE-së ndaj Policisë së Kosovës nuk përmendet dhuna e ushtruar ndaj 28 policëve. Ministrit Bajram Rexhepi, ndërkaq, nuk i bën përshtypje ky raport. Ai lavdëron punën e policisë dhe thotë se vitin e ardhshëm do të lejojë vetëm klerikët dhe organizatat fetare të vijnë në Gazimestan.

“Trupmëdhenj, të fortë e arrogantë. Vetëm shikimi i tyre të fut frikën në palcë, e lëre më të biesh në duart e tyre. Pa futur këtu edhe “dajakun” që ka shkrepur”, pak a shumë ky është përshkrimi që një raport i OSBE-së iu bën pjesëtarëve të Njësisë Speciale të PK-së, ROSU.

Më pak se dy orë e gjysmë angazhim i tyre në Gazimestan, me rastin e festës së Vidovdanit, u ka mjaftuar dy vëzhguesve të kësaj organizate të nxjerrin këtë konstatim për forcat më elite të sigurisë në vend.

Në shtatë faqe material, Hjortur Sverrisson, U.D i drejtorit të Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve në OSBE, ia përshkruan në detaje vuajtjet e dy pjesëmarrësve të nacionalitetit serb në këtë ceremoni kreut të policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, të cilit atë ditë i ishin plagosur afro 30 policë.

OSBE shprehet e shqetësuar me aksionin, siç e quan ajo, të tepruar, të njësisë speciale ROSU në Gazimestan.

“Përdorimi i tepruar i forcës në rrahjen e pjesëmarrësve, të dëshmuara nga OSBE, dhe konfiskimi i gjësendeve si rroba dhe flamuj, ka mundur të përbëjë keqtrajtim dhe shkelje të të drejtës së të shprehurit, të drejtës së grupimit dhe asaj fetare”, thuhet në raport, të cilin e transmeton Express.

Krejt kjo thuhet se është e bazuar vetëm në atë çfarë kanë parë monitoruesit e OSBE-së me sytë e tyre gjatë Vidovdanit. (LajmeShqip.com)