Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 20:15

New-York – Raporti i ardhshëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Këshillin e Sigurimit nuk do të përmbajë detaje për zhvillimet e fundit në veri të vendit. Ato, sipas mediave serbe, do të thuhen gojarisht për shkak se shkrimi i raportit ka nisur shumë vonë.

“Informacionet e reja do të thuhen drejtpërdrejt në seancën e KS-së për Kosovën, të 24 gushtit”, tha Farhan Hatch, zëdhënës i OKB-së.

Mes tjerash, në raport thuhet se situata në veri është e tensionuar dhe janë ngritur shqetësimet e serbëve lokalë për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë autoritetin në veri, për ta arritur kulmin e tensioneve, sipas raportit, me ndërhyrjen e forcave ROSU më 25 korrik.

Ndërsa në raportin e EULEX-it që do t’i bashkohet raportit të Ban Ki-Moonit, kryesore mbetet çështja e investigimit të Dick Martyt.

Raporti i nënshkruar nga Xavier Bo de Marnhac, thekson se “anëtarët e grupit hetues për rastin Marti janë përzgjedhur tashmë dhe shpejt do të fillojnë me punën”.

Zv/kryeministri Hajredin Kuçi, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës dhe përpjekjeve të Serbisë për t’i anatemuar veprimet e Qeverisë për kontroll të asaj pjese, ka thënë se Kosova është e përgatitur që në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Sigurimit të mbrojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ndërkombëtare për shtrirjen e autoritetit të saj në tërë territorin e saj.