Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 12:41

Tiranë -Presidentit të ri të Republikës është një çështje përcaktuese për fatin e statusit të kandidatit në Bashkimin Europian”, deklaroi të mërkurën kryetari i PS-së, Edi Rama në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar. 

“Kemi hyrë në periudhën kohore që do të përcaktojë nëse do të ketë apo nuk do të ketë një proces politik për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, e cila për ne është çështje përcaktuese për fatin e statusit të kandidatit në BE”, u shpreh Rama. Ai theksoi se PS do derdhë gjithë energjitë që të ndërtohet një proces sa më gjithëpërfshirës mes palëve, për t’i dhënë vendit një president në frymën e Kushtetutës së Republikës, dhe jo një noter partiak.

“Në emër të PS-së kam kërkuar publikisht takime të drejtpërdrejta me secilin prej përfaqësuesve të palëve parlamentare, me qëllim që fillimi i procesit zgjedhor në parlament të përkojë me arritjen e një konsensusi sa më të gjerë për mënyrën se si palët do të duhet ta trajtojnë këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme”, theksoi Rama. Ai nënvizoi se është shumë herët të flitet për emra, por është koha për të folur për identiktin e Presidentit të ri të Republikës, në kushtet kur nga njëra anë, nga mënyra se si do të zgjidhet presidenti do të varet në një masë kritike vendimtare statusi i kandidatit, dhe nga ana tjetër do të përcaktohet dhe vlerësimi që çdonjëra palë do i bëjë momentit historik të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Rama tha se, Shqipërisë do i duhet një president që të plotësojë së paku tre kërkesa në emër të vendit dhe popullit shqiptar: e para t’i japë një shtysë procesit të marrjes së statusit të kandidatit, duke u zgjedhur përmes një procesi politik dhe jo përmes një procedure mekanike të bazuar tek numrat, e dyta të jetë garant i kushtetutës dhe posaçërisht i pavarësisë së institucioneve, dhe e treta të përbëjë një faktor sigurie dhe paanësie për palët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kryetari i PS-së theksoi se, hapja e procesit për zgjedhjen e presidentit të Republikës duhet të përkojë me mbylljen e angazhimeve në këtë sesion parlamentar që janë miratimi i pr/ligjit “për gjykatën administrative”, miratimi i reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. (LajmeShqip.com)