Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 11:30

Numërimi i votave u kthye në një dramë televizive ku mori pjesë e gjithë Shqipëria dhe çdo mik e partner i huaj në Shqipëri. Ambasadorët e Holandës e të Danimarkës ishin të parët që u regjistruan si vëzhgues ndërkombëtarë për të hyrë e qëndruar deri në fund në një gjashtëditësh marramendës, ku në çdo njëzetekatërorësh zhvillohej një betejë e ngatërruar në gjithçka dykej me sy a luhej pas shpine në sallat e numërimit, dy burra që batin në vetë të parë kulturën demokratike të atyre vendeve të vogla nga gjeografia e të ëmdha nga demokracia, që të dy ndjekës të pasionuar të jetës së trazuar shqiptare e mbështetës të vendosur të përpjekjeve të Shqipërisë drejt Europës.

Karsten Jensen, ambasadori danez, të mbresën me energjinë e thjeshtësinë e vet, Henk Van der Dol, ambasadori holandez, njësoj si paraardhësi i tij që të tregova më lart, apo si paraardhësi i paraardhësit, Hans Blackenberg, një mbështetës i gjindur i kryeqytetit dhe edhe i planeve bashkiake të zhvillimit urban e i projtekeve kundër diskriminimit social. U bë pjesë e vëzhgimit ndërkombëtar edhe Fiona McIlwham, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, djepi ku u përkundën dhe u rritën vlerat e parimet e demokracisë moderne evropiane, prej ku s’ka munguar kurrë në këta njëzet vjet mbështetja për përfshirjen e Shqipërisë në tryezën e Europës së Bashkuar.

Ambasadorët e BE-së e të OSBE-së, Ettore Sequi dhe Eugen Wolfarth, qenë po ashtu dëshmitarë të palëvizshëm okularë të procesit të numërimit dramatik, ku siç nuk mund të ndodhte ndryshe, u shqua posaçërisht me praninë e tij imponuese e lehtësuese ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, përfaqësuesi i vendit ku Shqipëria sheh flakën e lirisë e të vlerave demokratike, aleatin e saj më të madh e mikun më të pandarë në çdo orë e kthesë të rrugëtimit të vet demokratik.

Pa praninë e këtyre njerëzve dhe rolin kyç të luajtur me dinjitetin më të lartë qytetar e profesional nga shefi i misionit ndërkombëtar të vëzhgimit, Jonathan Stonestreet, ai numërim i ndërlikuar prej stërzgjatjes, lodhjes sfilitëse, presioneve të vazhdueshme e lojërave të ulëta të përfaqësuesve të pushtetit në sallë e jashtë saj, si dhe përpjekjeve të paligjshme në prapaskenë të policisë, s’do të kishte dalë kurrë me fitoren tonë. Kurrën e kurrës.

Të gjithë këta njerëz e shpëtuan votimin e 8 majit në kryeqytet nga akti fundor i një manipulimi të fazuar si një operacion kriminal disavjeçar, i cili në photofinish dështoi t’u jepte pushtuesve të rinj satisfaksionin e patrazuar të luftës së pabesë, por edhe rivendosi në majën më të lartë në sytë e shqiptarëve reputacionin e cenuar publik të komunitetit ndërkombëtar pas ngjarjes së përgjakshme të 21 janarit, ku këndvështimi i botës demokratike mbi Shqipërinë s’ishte i kthjellët si zakonisht në leximin e përgjegjësive për një demonstratë të jashtëzakonshme opozitare që u kthye në një tragjedi kombëtare nga derdhja e 2326 plumbave luftarakë prej grykës së pushkëve të pushtetit mbi protestuesit e agjituar prej keqqeverisjes varfëruese, shtypëse, dëshpëruese e ato ditë, edhe prej një videoskandali të pashoq korrupsioni në kupolën e qeverisë, të cilin Saliu e quajti sajesë të një çakalli mediatik, duke anatemuar gazetarin e madh Filip Çakuli, rebelin shpotitës të të gjithë regjimeve e qeverive në Shqipëri qysh prej kohëve më të vjetra, që e publikoi me guximin e tij shembullor videskandalin në emisionin popullor, Fiks Fare, si edhe duke kërcënuar Sokol Ballën, gazetarin e njohur ekscentrik e kurajoz, bërë halë në syrin e Saliut prej emisionit komod që drejton prej vitesh me sukses popullor në të njëjtin ekran, ekranin e pabindshëm të Tanit të Topit, ku u thirr e pyet për dy orë para publikut të shokuar dëshmitari i videoskandalit.

Miqtë e partnerët ndërkombëtarë s’arritën të bënin asgjë më të mirë sesa të vendosnin shenjën e barazimit mes atyre që qëlluan me gurë dhe atyre që vranë me pushkë në mes të bulevardit kryesor të Shqipërisë, duke trajtuar njësoj si opozitën e paarmatosur në protestë, si qeverinë e armatosur gjer në dhëmbë në kryeministrinë e kthyer në një llogore lufte, si të papunët, të pangrënët, të pashpresët në rrugën e kërkimit të lirive e të drejtave të tyre, që u provokuan qysh në fillim të protestës nga autoblinda ujëhedhëse e bomba me gaz helmues, si të mbingopurit nga përfitimet e paligjshme përmes korrupsionit shkatërrues të një pushteti të dalë nga vjedhja e votës, që hapën zjarr mbi turmën për të konsoliduar sistemin e shkeljes së lirive e të drejtave të marra peng në oborrin e pushtetit, si viktimat që humbën jetën prej plumbave krejt të panevojshëm a thyen kockat në komisariatet e policisë e u përndoqën ditë e net me radhë nëpër shtëpi, si ata që ua morën jetën e i degjeneruan me dru e fjalë të ndyrë nëpër lokale e birura nga lartësia e një qeverie të kthyer në regjim, e cila në 21 janar kapërceu sistemin kushtetues duke kapërcyer kufijtë e vetëmbrojtjes dhe bërë ditën për diell krimin që kurrë s’është bërë në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Disa kohë më vonë, i pyetur gjatë një konference për shtyp, Presidenti Sarkozy bëri sintezën më të shkëlqyer që mund t’i bëhej atij momenti: “Në demokraci, fatkeqësisht protestat qytetare mund të degjenerojnë edhe në dhunë, por çka kurë s’mund të lejohet të ndodhë është përdorimi i plumbave të vërtetë ndaj qytetarëve”. Fiks fare.

 

***

Një justifikim i habitshëm, lindur prej nuk e di çfarë burimesh apo arsyetimesh, por thellësisht i pavërtetë, sipas të cilit në detin e protestuesve të 21 janarit kishte një dallgë të sponsorizuar për të përmbysur qeverinë me dhunë, u bë themeli i padrejtësisë së gjykimit të tragjedisë së përgjakshme, duke e bërë shenjën e barazimit mes batalionit vrasës të kryeministrisë dhe popullit të masakruar me plumba jashtë gardhit të godinës, një mbështetje de facto për qeverinë dhe de facto një shuplakë poshtëruese për opozitën, pa marrë asfare parasysh që të vrarët i mori plumbi mu si në një ekzekutim të ftohtë me vdekje, pa gjyq, për një krim që s’e kishin bërë, ndërkohë që demonstrata ishte në fund, turma thuajse ishte shpërndarë, askush s’kishte shkelur e nuk rrezikonte të kapërcente kufirin rrethues të godinës.

Ato ekzekutime makabër s’kishin të bënin asgjëkund me nevojën e vetëmbrojtjes së pushtetit të barrikaduar në selinë e Këshillit të Ministrave, por me mesazhin kriminal që Saliu vendosi t’i japë popullit të vet, opozitës shqiptare dhe mua personalisht, duke u përbetuar me çakërdinë e një të luajturi mendsh se do merrja plumbin në ballë po të guxoja të shfaqesha para kullës së tij një herë tjetër.

 

***

 

Ambasadori Aleksandër Arvizu i zbuloi kohë më vonë publikut një detaj të vërtetë nga ditët traumatike që rrodhën menjëherë pas 21 janarit, kur marrëdhëniet mes nesh s’ishin mjaltë dhe ambasadori përpiqej me këmbëngulje të më bindte për domosdoshmërinë e anulimit të demonstratës sonë të paralajmëruar për një javë më vonë pas vrasjeve barbare të katër njerëzve të pafajshëm, ndërkohë që pozicioni i tij publik kishte qenë befasisht i butë ndaj qeverisë e i ashpër ndaj një ‘grupi demonstruesish me agjendë tjetër’, siç ishte shprehur, duke kërkuar një hetim të plotë e të pavarur të prokurorisë në krah të Prokurores së Përgjithshme, por duke mos ngurruar të përkrahte haptazi as Policinë e Shtetit në krah të Drejtorit të Përgjithshëm, fill pas operacionit në fakt skandaloz të menaxhimit të konfliktit me protestuesit ku si dëshmitar okular pashë dhe s’do mund ta harroj asnjëherë se ç’hukubet, sa jo profesionale, sa e keqpërdorur dhe e çakërdisur u tregua policia, e cila provokoi turmën pa filluar ende demonstrata teksa deti njerëzor i protestës vazhdonte ecjen në bulevard drejt godinës së kryeministrisë, rrethuar me mijëra uniforma blu, mburoja, skafandra, rroba jeshile lufte, gryka zjarri, tela me gjemba, snajperë e nishanxhinj mbi tarracat ku u shfaq llërëpërveshur, si Arkani në Bosnje, edhe vetë kanakari i Saliut në krye të Ministrisë së Brendshme.

Dua të bëj një parantezë këtu, për të thënë se brenda kornizës së spekulimit të madh me shenjën e barazimit mbi 21 janarin, ka edhe një spekulim tjetër të hatashëm, lënien e qëllimshme të demonstratës në rënie të lirë nga organizatorët që nuk u përpoqën të bëjnë asgjë, për ta shmangur degjenerimin e revoltës në konflikt të dhunshëm me policinë. Gënjeshtër! Demonstrata u provokua qëllimisht nga policia teksa protestuesit qenë ende duke u grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku unë vetë, së bashku me Pandeli Majkon e me dhjetëra mijëra të tjerë pas nesh, u ndalëm në kapërcyellin e Urës së Madhe të Lanës prej resë së beftë të gazit lotsjellës e prej turmës që kishim përpara, e cila u kthye në drejtimin tonë e ndjekur nga autoblinda ujëhedhëse që pa asnjë arsye u shfaqën nga kthesa e kryeministrisë dhe u turrën përbindshëm drejt e mbi njerëzit e mbledhur të parët para selisë së Këshillit të Ministrave.

Ai veprim i qëllimshëm e qartësisht i urdhëruar jo nga profesionistët e policisë, por nga ata që atë ditë e kthyen shtetin në vrasës të qytetarëve të vet, u bë shkak i shthurjes së protestës, i plagosjeve të panevojshme të shumë qytetarëve krejt pa faj, mes tyre plot gra, i irritimit të shumëkujt ndër protestuesit që u kundërpërgjigjën instinktivisht me gurë ndaj forcave të rendit e i futjes së protestës në hullinë tragjike, si edhe i humbjes së kontrollit e të lidhjeve mes organizatorëve e grupeve të demonstruesve që kishin secili në patronazh, sipas një organizimi që kurrë s’kishte paraqitur probleme në një sërë demonstratash të ngjashme në përmasa, sepse asnjëherë më parë protestuesit nuk ishin provokuar nga policia.

Duke kujtuar ato momente gjatë një interviste pas majit të zgjedhjeve të grabitura të Tiranës, ambasadori amerikan tregoi se kishte qenë asokohe i shqetësuar për garantimin e jetës sime të vënë nën një kërcënim serioz, gjë që unë e mësova ato ditë pak më vonë sesa ai dhe pak përpara demonstratës së paharrueshme të 28 janarit nga burime shumë serioze, që më informuan në detaje se një grup kriminal kishte përgatitur skenarin e eliminimit tim fizik.

 Ia tha këtë truprojës sime, një ditë përpara demonstratës funebër, edhe vetë komandanti i Gardës Republikane, i cili, pas 21 janarit ishte shfaqur në publik me gjyzlykë të zeza që s’e fshihnin dot megjithatë një dëmtim të çuditshëm boksierësh në sy, mendja të thoshte se e kishte nga demonstrata, por duke qenë se ai s’ishte ndodhur gjëkundi në ndonjë ndeshje trup më trup me protestuesit para kryeministrisë, s’është e pamundur të mendohet se ka thënë të vërtetën zëri i dalë nga brenda gardës, sipas të cilit atë mavijosje të syrit komandanti e kishte prej një grushti të marrë në surrat nga truproja e Saliut, kur kishte bërë naze për zbatimin e urdhrit gojor që të hapej zjarr mbi turmën. Ky i fundit u pa nga të gjithë kamerat me automatik në dorë në oborrin e kryeministrisë, krejt jashtë funksionit të tij ligjor, teksa yshtte ushtarët e hutuar të qëllonin drejt e në mish.