Lajme Shqip Friday, 02 August 2013 13:16

Tiranë – Në mbledhjen e parë me ministrat e rinj, kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, u ka kërkuar atyre që të heqin dorë nga bizneset e tyre, për të mos pasur konflikt interesi.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja Shekulli.
Një gjë të tillë bëri edhe kryeministri Sali Berisha kur mori detyrën në vitin 2005, duke detyruar ministrat që të heqin dorë nga bizneset e tyre.
Por cilët janë ministrat e qeverisë së re, që kanë në pronësi biznese?
E përditshmja Shekulli sjell një listë.
Lefter Koka, ministri i ardhshëm i Mjedisit është aksioner në të paktën dy biznese, sipas të dhënave të QKR-së. Ai është një ndër 186 aksionerët e Kantinës së Pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me seli në Durrës. Koka është edhe përfaqësues ligjor i shoqërisë “Sucralba”, regjistruar si biznes që në 1999, dhe që merret me ndërtimin e linjave të prodhimit dhe vënien në shfrytëzim i impianteve prodhuese, përpunim dhe shitje e sheqerit të konfeksionuar dhe me thasë të gjitha përpunimet plotësuese të domosdoshme ose të nevojshme në varësi të llojeve të ndryshme të prodhimit.
Ilirjan Celibashi, që do të jetë ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, pas largimit nga detyra e kryetarit të KQZ-së, hapi studion Ligjore “Celibashi & Associates” dhe në QKR firma e regjistruar me emrin “Ilirjan Celibashi” në 2006 dhe që ende e ka statusin “aktiv”.
Arben Ahmetaj, ministri i ardhshëm i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, vijon të jetë prej vitit 2001 përfaqësues ligjor i firmës “H– COMMUNICATIONS”, me seli në Rrashbull të Durrësit. Firma ka për objekt telekomunikacione, konsulencë financiare, software, brokers, çdo operacion financiar, tregtar, industrial, me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi me një nga objektet e shoqërisë. Ahmetaj, që është edhe drejtor ekzekutiv, ka 65 për qind të aksioneve me firmën “Hermes”, ndërsa 35 për qind i ka ortaku tjetër, Vilma Nushi.
Ilir Beqaj, i zgjedhur si ministër shëndetësie, vijon të jetë përfaqësues i firmës “INTECH +”, regjistruar në tetor 2001. Objekti i saj janë tregtimi i sistemeve kompjuterike për përpunim informacioni dhe transmetim, prodhim i programeve aplikative, instalimi i sistemeve të informacionit dhe të ndërlidhjes, shërbim dhe tregtim i sistemeve elektronike në çdo fushë të ekonomisë. Përfaqësues ligjor ishte Sokol Sinani që kishte 49 për qind dhe Ilir Beqaj 51%, por më pas Beqaj ka mbetur ortaku i vetëm. Beqajt iu hoq mandati i deputetit me akuzën e ngritur nga PD-ja në 2010 se kishte marrë fonde shtetërore me anë të firmës private.
Damian Gjiknuri, i caktuar si ministër i Energjisë dhe Industrisë, i ka çregjistruar me kohë aktivitetet e tij private. Ai kishte 25 për qind të aksioneve te firma AB – GROUP, regjistruar në 2007 dhe që kishte për objekt import-eksport, tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm industrial, konfeksione, tekstile, prodhime lëkurë, tregtim të lëndëve të para për prodhimin e mobilieve dhe elementëve te tyre, artikuj shkollor, kozmetike, higjieno- sanitare, etj dhe që u çregjistrua në dhjetor 2009. Gjiknuri ka çregjistruar edhe zyrën e tij të avokatisë të regjistruar në shtator 2008. Po ashtu Gjiknuri ka mbyllur aktivitetin e firmës “IMMOAIR”, regjistruar në mars 2007, ku ishte pronar i vetëm i firmës që merrej me shitblerje të pasurive të patundshme, aktivitetet e ndërmjetësimit dhe zhvillimit të turizmit, shërbime ndërmjetësimi për aktivitete të ndryshme tregtare.