Lajme Shqip Sunday, 16 October 2011 13:29

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Presidentit Bamir Topi për mosdekretimin e ligjit për “Menaxhimin e mbetjeve të ngurta”.

Në një shkrim të publikuar të dielën në të përditshmet shqiptare, me titull “Presidenti, Plehrat, Integrimi”, Rama shprehet se “ligji i importit të plehrave s’është një ligj për Shqipërinë Europiane. As për një Shqipëri më të pastër. Po është një ligj për të gangrenizuar me pasoja të pallogaritshme sot plagët e rënda të ndotjes së Shqipërisë”.

Sipas kryesocialistit dihet botërisht lidhja e mafias me plehrat dhe njihen ngjarje tragjike për shumë vende të botës ku kjo lidhje ka arritur të bëjë ligjin. “Shqipëria nuk mund të menaxhojë mbeturinat që prodhon vetë dhe as të kontrollojë ato që mund të importohen”, shkruan Rama, duke akuzuar se ky ligj është hartuar me “synime të këqija”.

Ligji i importit të plehrave në Shqipërinë e sotme është antikombëtar, antieuropian,  antinjerëzor dhe janë këto arsyet që opozita e kundërshtoi fort këtë ligj; vijon Rama, duke nënvizuar se “Shqipëria e sëmurë nga plagët e saj mjedisore që nuk kontrollon dot asgjë në hyrjet e saj, mund të gëlltisë symbyllur edhe plehra radioaktive. Njësoj si Somalia, si Haiti, si Etiopia e si të tjera vende që e kanë paguar shtrenjtë, me lëkurën e popullit, këtë ushqim helmatik”.

Një ditë më parë, Ministria e Mjedisit e konsideroi një akt të pastër politik kthimin mbrapsht të ligjit për “Menxahimin e mbetjeve të ngurta” nga Presidenti Topi. Duke mbrojtur këtë draft që u kundërshtua me forcë nga deputetët e opozitës dhe u miratua vetëm me votat e maxhorancës, zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, tha se ligji është në përputhje me ekspertizën e BE.

Presidenti Topi refuzoi të dekretojë ligjin me argumentin se një nen i tij lejon importin e mbetjeve, ndërkohë që synimi i ligjit duhet të jetë reduktimi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë që prej vitesh përbën një problem të rëndë.

Por Bino sqaroi se refuzimi i Topit lë në fuqi me ose pa dashje nenin 26 të ligjit të mëparshëm, i titulluar leja e importimit. “Ligji që ka kthyer Presidenti Topi nuk ka qëllim kryesor importin, madje ai ndalon importin e mbetjeve të rrezikshme”, tha zv/ministri Bino.