Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 09:57

​Në samitin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet me 27 gusht në Vjenë, si vazhdimësi e procesit të Berlinit të iniciuar nga Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, do të ketë një ngjarje të pazakontë, raporton Tanjug.

Një ndeshje miqësore futbolli do të luhet në mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, në mes dy ekipeve “BE e ardhshme” dhe “BE”.

Në ekipin “BE e ardhshme”, do të luajnë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi, i pari i Qeverisë së Serbisë Aleksandar Vuçiq, ministri i jashtëm malazez, Igor Lukshiq, homologu i tij maqedonas Nikola Popovski, ministri i jashtëm boshnjak Crnadak, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, Ministri i Ekonomisë nga Shqipëria, Arben Ahmetaj dhe sekretari i procesit të bashkëpunimit rajonal, Goran Svilanoviç, transmeton Klan Kosova.

Isa Mustafa, si Kryeministër i Kosovës, nuk do të jetë përkrah homologëve të tij nga Shqipëria e Serbia.

Ndeshjen do ta gjykojë Komisioneri Europian Johanes Hahn, ndërsa në ekipin e BE-së, do të jetë pjesëmarrës kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar dhe Ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz.