Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 11:19

Tiranë- Vizita në Bruksel dhe takimi me liderët e BE-së do të jetë ndër vizitat e para që Kryeministri i zgjedhur Edi Rama do të zhvillojë jashtë vendit, menjëherë pas marrjes së detyrës. Për Ambasadorin e BE-së Ettore Sequi, kjo vizitë konsiderohet si prova që vërteton rëndësinë e madhe që qeveria e re i jep procesit të integrimit evropian të vendit.

Gjatë një takimi të zhvilluar sot në selinë e PS-së, Rama siguroi ambasadorin e BE-së se mazhoranca e re do të jetë e angazhuar “për të kapur trenin e Europës”. Në përfundim të takimit, Rama dhe Sequi dhanë një deklaratë të shkurtër për mediat, ku ambasadori i BE-së shprehu besim se Shqipëria do të ecë përpara në drejtim të integrimit.

“Diskutuam detajet e vizitës sonë të menjëhershme në Bruksel, ku praktikisht do takojmë të gjithë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve evropiane dhe ku pa asnjë dyshim do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshme të integrimit evropian, në funksion të një Shqipërie që do të jetë anëtare e denjë e BE-së, por dhe e një Shqipërie evropiane këtu me ligjet e duhura, mundësitë e duhura për çdo shqiptar e shqiptare që të ndihen zot në vendin e tyre. Është momenti për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë.”- deklaroi Rama.

Nga ana e tij, ambasadori Sequi e cilësoi si mjaft të frytshëm takimin me Ramën, duke theksuar se BE është e vendosur për të ndihmuar Shqipërinë që të jetë pjesë e unionit.

“Patëm një takim të frytshëm. Pata mundësinë qe t’i prezantoja kryeministrit të zgjedhur të gjitha ato takime që do të zhvillohen në Bruksel. Kjo është një vizitë e rëndësishme. Jemi shumë të kënaqur që jo është një nga vizitat e para që zoti Rama do të bëjë jashtë Shqipërisë. Kjo është prova që vërteton rëndësinë e madhe që i jep qeveria e re e Shqipërisë procesit të integrimit europian të vendit. Zoti Rama u shpreh fare qartë për vendosmërinë dhe angazhimin e kësaj qeverie për integrimin Shqipërisë. Unë i shpreha atij mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve të BE-së në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Ne kemi besim që me këtë angazhim dhe përkushtim do të ecet përpara. Jemi tërësisht të vendosur të luajmë një rol që ta ndihmojmë Shqipërinë që këtë drejtim. Unë besoj, ne besojmë që procesi i integrimit evropian të Shqipërisë është prioritet për qeverinë, prioritet kombëtar, sepse i shërben interesave të popullit shqiptar që meritojnë të mirat që rrjedhin nga integrimi i Shqipërisë në BE”- deklaroi ambasadori Sequi. /BW/