Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 15:52

Tiranë – Drejtuesit e opozitës zhvilluan sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se sot nderohen njerëzit që sakrifikuan jetën për vendin.

Rama vendosi një kurorë me lule tek monumenti “Nënë Shqipëri” në shenjë respekti e mirënjohje për çdo veteran të luftës, çdo njeri që diktatura komuniste e persekutoi dhe e pengoi të jetonte i lirë, ashtu si kundër çdo martir të asaj diktature.

“Lavdi dëshmorëve për ideale të pastra dhe ëndrra që mbeten sot e gjithë ditën, ëndrra të qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi”, tha Rama, duke shprehur mirënjohje dhe respekt për çdo veteran të luftës, njëkohësisht edhe për çdo njeri që diktatura komuniste e pengoi të jetonte i lirë.

Rama shtoi se veteranët dhe viktimat e komunizmit i bashkonte ëndrra për të jetuar të lirë në një atdhe të përbashkët.

“Të gjithë këta njerëz i bashkon ajo që mbetet sot e gjithë ditën pjesë e pandarë, ëndrra për një atdhe të përbashkët që mund të jetë shtëpia e çdo shqiptari”, tha Rama.