Lajme Shqip Saturday, 03 August 2013 14:07

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet të zhvillojë sot një takim me Kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në kryeqytetin turk, Ankara.

Takimin e ka paralajmëruar vetë Rama në një komunikim në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”.
Në pritje të marrjes së detyrës si kryeministër i vendit, Rama takohet me Erdogan për të dytën herë brenda një harku të shkurtër kohor. Në fund të muajit maj, lideri i PS-së u prit në Ankara nga kreu i ekzekutivit turk.

Kryesocialisti Rama ishte i ftuar dje në televizionin “CNN Turk”, për një intervistë, në qendër të së cilës ishte libri i tij “Kurbani” i botuar së fundmi në gjuhën turke, si dhe objektivat e qeverisë së re pas konstituimit në shtator.

RAMA INTERVISTË PËR CNN TURK: REFORMA TË MADHA
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama deklaroi dje, se korrupsioni nuk është një virus që i përket Shqipërisë. Gjatë një interviste, për kanalin CNN në Turqi, pas asaj të dhënë në “Hard Talk” në BBC, Londër, Edi Rama bëri dje një prezantim të pikave të forta të qeverisë që do të drejtojë pas shtatorit. Kryeministri i zgjedhur Rama deklaroi se lufta ndaj korrupsionit do të jetë një nga pikat nga ku do të nisë edhe ndryshimi i Shqipërisë. “Shpresoj që ju të mos mendoni se korrupsioni është një virus që i përket Shqipërisë. Por ju e dini që kudo që shkon dhe këdo që prek, korrupsioni përhapet në mënyrë shumë të shpejtë si sëmundje ngjitëse. Dhe situata në Shqipëri kështu është. Ajo që duhet të bëjmë ne është të marrim përsipër të bëjmë një luftë të madhe kundër këtij fenomeni”, deklaroi dje Rama në intervistën dhënë Hande Asik, drejtore e lajmeve të jashtme në CNN, Turqi. “Ne kemi në plan të ngremë disa sisteme dhe të realizojmë disa reforma në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të shpëtojmë popullin tonë, të mbrojmë dhe të shpëtojmë vendin nga korrupsioni. Ky fenomen është futur aq thellë saqë e ka lënë vendin në një pozitë shumë të vështirë”, deklaroi Rama. Kryeministri i ri, Rama deklaroi gjithashtu se qëllimi i tij dhe i qeverisë së tij është të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane. “Sigurisht që me aq sa kemi mundësi do të bëjmë ç’është e mundur në një kohë shumë të shkurtër që të marrim statusin për vendin kandidat. Më kujtohet që një nga sloganet që përdorën studentët gjatë rrëzimit të sistemit ishte ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Qëllimi ynë kryesor është që Shqipëria të jetë pjesë e Europës dhe të integrohet në të”, theksoi Rama, sipas përkthimit të medias shqiptare. I pyetur për marrëdhëniet dypalëshe, kryeministri i zgjedhur deklaroi në CNN-in Turk se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe gjithashtu, një shembull i mirë për t’u ndjekur i transformimit pozitiv të vendit viteve të fundit.

TAKIMI ME ERDOGAN 
“Me zotin Erdogan jemi takuar para zgjedhjeve dhe sinqerisht është një emër që unë e vlerësoj shumë për atë çfarë ka bërë për shtetin e tij. Gjatë bisedës sonë ai na premtoi se do të na ndihmojë për sa u përket marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shqipërisë. Së bashku me Italinë dhe Greqinë, Turqia u bë partner strategjik i yni”, nënvizoi Rama. “Ne Turqinë e shohim si një partner strategjik, duam që të forcojmë dhe ta zhvillojmë marrëdhënien që kemi me vendin tuaj. Ne duam që të përfitojmë nga procesi i transformimit verbues që ka përjetuar Turqia këto kohë, ne e shohim atë si shembull. Problemet me të cilat ne po përballemi sot, veçanërisht problemet që hasim në shëndetësi, në arsim janë probleme shumë të ngjashme me ato që ka kaluar Turqia para shumë vjetësh”, tha dje Rama. Ndërkohë ai ka lajmëruar në “Tëitter” se, sot në orën 14:30, me orën lokale do të takohet me Kryeministrin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, takimi i dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore. “Bosfori. Nesër takimi me kryeministrin dhe ministra të dy palëve për piketat e punës konkrete mes dy qeverive”, shkroi dje në mbrëmje Rama në “Tëitter”. Ndërsa ka shprehur edhe përshtypjet nga intervista në CNN. “Hande Asik, drejtorja e lajmeve të jashtme e CNN Türk, më tregoi se e ka gjyshen shqiptare”, – rrëfeu kryeministri i zgjedhur./Ballkanweb/Lajmeshqip/