Lajme Shqip Monday, 13 August 2012 12:58

Tiranë  – Kryesocialisti Edi Rama është frymëzuar nga performanca e ekipit britanik në Lojërat Olimpike Londër 2012, që u rendit në vendin e tretë për numër medaljesh të fituara, pas SHBA-së dhe Kinës.

“Shkëlqimi i skuadrës britanike ka në bazë financimin nga Lotaria Kombëtare”, shkruan Rama në Twitter, ndërsa premtoi se do të ndjekë të njëjtën strategji edhe për sportin shqiptar kur të vijë në pushtet.

Duke iu drejtuar atyre që i cilëson si “skeptikët mbi programin e PS”, Rama pohoi se “me Lotarinë Kombëtare në dispozicion të Sportit e Rinisë, ne do ta rilindim sportin shqiptar”.

Sipas numrit një të socialistëve, shembulli i Britanisë së Madhe mbi Lotarinë Kombëtare është rruga e duhur për t’u ndjekur.

Pak ditë më parë, Ministria e Financave ka shpallur fituesin paraprak të Lotarisë Kombëtare në Shqipëri, që është kompania austriake “Austria Lotteries”. Por opozita ka deklaruar shpesh herë se nuk do ta njohë këtë rezultat, duke akuzuar mazhorancën se ka shitur shumë lirë Lotarinë Kombëtare në kurriz të shqiptarëve, me qëllim për të mbushur xhepat e saj.

Lideri i PS-së, Rama ka shkuar edhe më tej, duke i shkruar një letër kancelarit austriak Werner Fyman, ku ftonte kompaninë me seli në Vjenë që të tërhiqej nga gara në Shqipëri, të cilën ai e cilësoi si jo transparente.

Në letrën drejtuar kancelarit austriak, Rama pohonte se “procesi për dhënien e Lotarisë Kombëtare është i manipuluar dhe shkon kundër interesit publik” shqiptar. (LajmeShqip.com)