Lajme Shqip Wednesday, 06 November 2013 15:54

Shkup- Pas takimit njëorësh me homologun Nikola Gruevski, ku është diskutuar për tema me interes dypalësh, Rama ka shprehur mbështetjen e paekuivokë të qeverisë shqiptare për dokumentin paqësor të vitit 2001.

“Për ne, për Shqipërinë dhe për shqiptarët është e rëndësishme që edhe vetë Marrëveshja e Ohrit të jetë pikë referimi në të gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet dita-ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve këtu dhe suksesit të këtij vendi, për të cilin edhe ne jemi shumë të interesuar dhe e mbështesim”, ka deklaruar Rama.

I pyetur nga “Zhurnal” për marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e shqiptarëve, kryeministri shqiptar i ka vlerësuar dy çështjet si të ndjeshme dhe njëherazi të rëndësishme për të ardhmen e vendit. 

Duke iu referuar incidenteve të fundit ndëretnike, Rama ka thënë se qeveria shqiptare i ndjek me shqetësim të gjitha momentet e shfaqjes së intolerancës dhe dhunës me sfond ndëretnik. 

“Kemi qenë dhe mbetemi të vendosur të bëjmë thirrje për qetësi, maturi dhe vetëdije, sepse mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike është sukses i përbashkët. Për ne është e domosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe bashkërisht do ta ndërtojmë të ardhmen në rajon dhe në këtë vend ku shqiptarët janë pjesë shtetformuese dhe janë të angazhuar në gjithë spektrin shoqëror dhe qeverinë e këtij vendi, që janë të interesuar për implementimin e marrëveshjes së Ohrit me sukses. Ne jemi mirëkuptues për kohën që kërkojnë proceset politike. Pra edhe një herë them se çdo shprehje dhune i çon proceset prapa”, ka theksuar Rama.

Ndërsa ka deklaruar mbështetjen e Tiranës zyrtare për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE,  kryeministri shqiptar ka theksuar se integrimi euroatlantik është në të mirën e rajonit, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të maqedonasve vetë. 

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar gjithashtu se marrëdhëniet me Maqedoninë janë të një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, ndërsa ka vlerësuar se integriteti territorial i saj është me rëndësi thelbësore për integrimin e mbarë rajonit në BE. 

“Shqipëria është e interesuar për marrëdhënie më intensive me fqinjët, në këtë rast me Maqedoninë, në të gjitha fushat. Jemi të gatshëm të hapim rrugë të reja bashkëpunimesh dhe të përforcojmë bashkëpunimin ekonomik me ide dhe projekte konkrete për një zhvillim të përbashkët”, ka deklaruar Rama.

Në anën tjetër, kryeministri Gruevski, ka deklaruar se takimi i sotëm me homologun shqiptar është në vazhdën e takimeve me qëllim intensifikimin e marrëdhënieve ekzistuese me fqinjët./Shekulli/