Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 17:54

Fier- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi të dielën para forumit rinor eurosocialist të qytetit të Fierit, programin socialist për rilindjen e Shqipërisë. Rama u shpreh se politika po mbahet peng nga një grusht politikanësh të padenjë e gënjeshtar.

“Politika nuk e ka humbur fuqinë tërheqëse megjithë zhgënjimet që ka krijuar nga premtimet e pambajtura të një grushti politikanësh gënjeshtar. Politika nuk është kjo që shikoni çdo ditë, është diçka fisnike, që ndryshon dhe përmirëson jetën shqërore”, tha Rama. Sipas tij, pjesmarrja e të rinjve në politikë dhe kontributi i përbashkët i tyre për ndryshimin e politikës së vjetër, është një nga rrugët kryesore të plotësimit të aspiratave të tyre dhe i zgjidhjes së problemeve shoqërore .

Duke vënë në dukje rolin e çdo qytetari shqiptar në politikë, Rama theksoi se i vetëm nuk mund të bësh dot ndryshimet e mëdha për të cilat kemi nevojë. Sipas tij, të merresh me politikë do të thotë të dëgjohesh, të vlerësohesh, të luftosh së bashku me të tjerët padrejtësistë e shoqërisë, pavarësisht se ajo nuk të prek ty personalisht.

Ai kërkoi nga rinia socialiste e qytetit të Fierit të mos pranonin realitetin e imponuar, por t’a konceptojnë atë realisht dhe, të luftojnë për zgjidhjen e tij. Në fund të takimit 400 të rinj eurosocialist u antarësuan në PS, duke premtuar se do t’i japin më shumë jetë e gjallëri programit dhe platformës së kësaj partie. Në këtë takim kryesocialisti Rama shoqërohej nga deputetët socialist të qarkut Fier. (LajmeShqip.com)