Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 20:06

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, “sfida e radhës e socialistëve është barazia para ligjit”.

Gjatë tryezës për drejtësinë të organizuar pasditen e sotme nga opozita, Rama akuzoi mazhorancën për sulme ndaj organit kryesor të hetimit për ngjarjen e 21 janarit 2011.

Në këtë drejtim, ai shtoi se “BE nuk mund të pranojë një vend ku pushteti sulmon Prokurorinë dhe ku Prokurorja e Përgjithshme kthehet në shënjestër për të penguar daljen e së vërtetës”. “BE nuk mund të pranojë një vend, ku qeveria e vendit fshin provat dhe pengon hetimin, për të devijuar rrugën drejt së vëretës”, tha Rama.

Sipas tij ,”kultura e pandëshkueshmërisë do e mbajë larg vendin nga standardet europiane”. “Është e pamundur të pretendojmë se BE mund ta pranojë Shqipërinë, kur barazia para ligjit dhe funksionimi i drejtësisë përbëjnë një nga problemet më të rënda të shoqërisë”, tha Rama.

“Nga ndëshkimi i ngjarjes së 21 janarit varet shteti i së drejtës”, tha Kreu i PS-së, duke shtuar se “hetimi i ngjarjes së 21 janari është tashmë sfidë e shoqërisë shqiptare”.