Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 13:30

Tiranë- Lideri i PS-së, Edi Rama nëpërmjet një konference për shtyp ka uruar popullin e Kosovës për 4 vjetorin e Pavarësisë. Në emër të opozitës shqiptare, Rama shprehu mbështetjen për shtetin e Kosovës dhe vlerësoi ata që dhanë jetën për këtë ditë.

“Uroj vëllezërit e motrat në Kosovë, Gëzuar 4 vjetorin e Pavarësisë! I uroj kryeministerit Hashim Thaci suksese të mëtejshme në drejtimin e shtetit të Kosovës. Kjo është një datë që do kujtohet me admirim gjithnjë nga kombi ynë, do kujtohet me adhuriom UCK-ja dhe Adem Jashari, po ashtu edhe lideri historik Ibrahim Rugova. Kjo është dita e përjetshme e dëshmorëve që vunë jetën e tyre në themelet e shtetit të Kosovës”, tha Rama.

Rama deklaroi më tej se opozita shqiptare do të qendrojë gjithmonë krah Kosovës, ndërsa i kujtoi Serbisë se po humbet kohën kot duke e kërkuar Kosovën që e fitoi pavarësinë me luftë e gjak, sic tha Rama.

“Nuk ka ditë më të mirë se kjo për të thënë se do jemi në krah të Kosovës kur vihen në diskutim kufijtë territorial të Kosovës, kur cënohet integriteti i saj territorial, jemi kundër cdo përpjekje për të futur në historinë e saj fantazmat e së shkuarës, që Kosova i mbylli me luftën heroike. Serbët ta kuptojnë se Kosova iu ka ikur nga duart njëherë e përgjithmonë, ata s’bëjnë gjë tjetër vecse mbajnë peng të ardhmen e tyre në BE”, tha Rama më tej.

Rama tha më tej se Kosova e ka zgjedhur tashmë rrugën europiane, ndërsa u shpreh se “Do të luftojmë së bashku ndaj çdo atavizmi ballkanik”. (BW)